16:41 / E Enjte, 16 Maj 2019

Jahjaga: E gërditshme dhe e neveritshme veprimi i Brovines

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kritikuar ashpër deputeten Flora Brovina për publikimin e një fotografie që tregonte dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë.

E ka quajtur të gërditshëm, neveritshëm e të turpshëm veprimin e Brovinës.

“Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës! Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një depuetete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Jahjaga më tej ka thënë se publikimi i kësaj fotografie cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe ritraumatizon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Veprimi i deputetës është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, ka deklaruar ajo.

Jahjaga ka kërkuar nga autoritetet drejtësisë që të hetojnë veprimin e Brovinës dhe të veprojnë në përputhje me ligjin.

“Publikimi i fotografisë është një goditje e rëndë për dinjitetin e gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët! U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin!”, ka shtuar Jahjaga.

Në fund Jahjaga ka thënë se “të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike”.