75 Mall Live Search
16:00 / E Martë, 06 Prill 2021 / OSH

Jahjaga e Kosnett diskutojnë për hallet dhe shqetësimet e disa të mbijetuarave të dhunës seksuale

Ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, kanë vizituar sot Qendrën e Grave Medica Gjakova, e cila tashmë disa vite merret me fuqizimin e grave përfshirë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Jahjaga ka thënë se kanë inkurajuar të mbijetuarat e dhunës seksuale që shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore duke aplikuar për statusin e të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, sot ishim në Gjakovë në Qendrën e Grave Medica Gjakova, e cila tashmë disa vite merret me fuqizimin e grave përfshirë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Dëgjuam hallet dhe shqetësimet e disa të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe shprehëm mbështetjen tonë për të mbijetuarat dhe punën që bën Qendra nën udhëheqjen e znj. Mirlinda Sada. Diskutuam poashtu mbi shtigje të reja që duhet të gjejmë për t’ju qëndruar pranë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në realizimin e të drejtave të tyre. Në këtë drejtim, inkurajuam të mbijetuarat e dhunës seksuale që shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore duke aplikuar për statusin e të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Procesi i verifikimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është jetik për procesin e zbardhjes të së vërtetës dhe ballafaqimit tonë me të kaluarën”, tha ajo./IndeksOnline/