21:12 / E Shtunë, 09 Korrik 2022 / OSH

Jahjaga takon nënë Ferdonijen dhe familjen e heroinës Yllka Domi

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndarë festën e Kurbran Bajramit me Ferdonije Qerkezin, një grua e fortë që nuk u dorëzua ndonëse lufta ia mori bashkëshortin dhe katër djemtë.

Në takimin e tyre në Gjakovë së bashku me Jahjagen, ishte edhe autorja e emisionit “Radar” në Radio Televizionin Dukagjini, Edita Doli.

“Këtë festë Bajrami vendosa që së bashku me miken time, Edita Doli, ta kalojmë së bashku me nënë Ferdonije Qerkezin, e cila ka humbur bashkëshortin dhe djemtë e saj në luftë”, është shprehur Jahjaga.

Ndërkaq, vizita e ditës së parë e festës së Kurban Bajramit nuk mbaroi me kaq, Jahjaga dhe Doli, kanë vazhduar të bashkëndajnë gëzimin e festës edhe me prindërit e poetes dhe heroinës Yllka Domi, e cila në vitin 1999 është vrarë nga forcat serbe, por kujtimet dhe veprat e saj janë të pavdekshme.

“Një copëz të festës e ndamë edhe me znj.Dashurie dhe z.Afrim Domi, prindërit e poetes dhe heroinës Yllka Domi, e cila e dha jetën e saj për lirinë e Kosovës”, ka thënë ish-presidentja e vendit.

“Ditët e festave mbledhin familjet dhe na bëjnë të mendojmë për bekimet që i kemi. Por, gjatë numërimit të këtyre bekimeve duhet të rikujtojmë që gëzimi e festa shumëfishohet nëse e ndajmë me të tjerët”, ka thënë Jahjaga.

Jahjaga ka thënë se prindërit e Yllka Domit, Dashurie dhe Afrim Domi, janë shembull i fuqisë, shpresës së pa shteruar vetëm për një Kosovë të cilën e kanë ëndërruar dëshmorët e paharruar të luftës për liri.

“Nënë Ferdonija, znj.Dashurie e z.Afrimi janë shembulli i fuqisë, qëndrueshmërisë, e shpresës për një Kosovë të cilën e ëndërruan ata që ranë për të” ka thënë Jahjaga.

Ndërkaq, ajo ua ka uruar çdo qytetari myslimanë, festën e Kurban Bajramit, duke thënë se tryeza e Bajramit të kujton se sa e rëndësishme është familja dhe sa të çmueshme janë momentet që ndahen me të tjerët.

“Qytetarë të dashur myslimanë, me fat festa e Kurban Bajramit! Begatia, harmonia dhe dashuria e pafund shoqërofshin përherë familjet e juaja. Mos harroni të ndani dashuri e pak nga tryeza e juaj e Bajramit me ata që kanë nevojë për pak nga lumturia e begatia e shtëpive tuaja”, është shprehur Jahjaga.