75 Mall Live Search
10:25 / E Martë, 15 Mars 2022 / AR

Jahti 600 milionë dollarë i Roman Abramoviçit mbërrin në Shqipëri

Miliarderi Roman Abramoviç është në listën e sanksioneve të vendosura për shkak të lidhjeve me Vladimir Putinin.

Edhe pse ai ka mohuar se ka lidhje me Putinin, pasuritë e tij po gjurmohen për t’u sekuestruar.

Së fundmi, Abramoviç është fotografuar në Stamboll teksa po priste avionin e tij privat. Më pas, sipas agjencisë Reuters ai ka fluturuar drejt Moskës.

Mediat kanë raportuar se Abramoviç po përpiqet që ta fshehë mega-jahtin e tij luksoz në Adriatik. Të shtunën, jahti Solaris, me vlerë 600 milionë dollarë, ishte parë në Mal të Zi.

Por Reuters raporton se jahti sot është në brigjet e Shqipërisë.

“Të dhënat nga sistemi i gjurmimit të anijeve Refinitiv tregojnë se jahti 600 milionë dollarësh i Abramoviç ishte në brigjet e Shqipërisë të martën në mëngjes me statusin: Në pritje të porosive”.

Zakonisht mega-jahtet kanë vizituar brigjet shqiptare për të marrë karburant me çmim shumë të lirë. Ndërkohë Shqipëria është në një valë protestash për shkak të çmimeve të larta të karburanteve për qytetarët dhe fermerët.