75 Mall Live Search
23:59 / E Hënë, 01 Shtator 2025 / Burim

Jakaj, IKD: Moszgjedhja e nënkryetarit serb është më shumë qëllim politik sesa juridik

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se moszgjedhja e nënkryetarit serb është më shumë qëlim politik sesa juridik.

“Pra, është më shumë një qëllim politik sesa një qëllim juridik që në mënyrë të pastërt, në mënyrë transparente një parti politike siç është Lëvizja Vetëvendosje me pru që atë parti politike (Listën Serbe) me heq prej skenës politike. Kjo çështje nuk mund t’i cenohet asnjë komuniteti”, tha Jakaj.

Ai tha se kandidatët për nënkryetarë të komuniteteve joshumicë do duhej të votoheshin në pako.

Pretendimi dhe konstatimi se Kuvendi është konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb, Jakaj tha se po bëhet nga kryetari Dimal Basha dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Një interpretim i qëllimshëm dhe i dëmshëm për parimet demokratike dhe për parimet e sundimit të ligjit në Kosovë”, tha Jakaj.

Hulumtuesi tha se Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare tregojnë se kur konsiderohet i konstituuar Kuvendi.

Jakaj tha se Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se Lista Serbe ka qenë e lidhur me Milan Radioiçiqin, gjë që sipas tij është fakt që nuk mund të mohohet ngase Radoiçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe.

“Por, për t’u ndjekur procedurat që një parti politike në Kosovë të shpallet e jashtëligjshme, janë kritere të cilat janë të parapara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, pra: kur e cenon sigurinë kombëtare, rendin kushtetues, rendin publik, kur në programin ose në dokumentet e asaj partie proklamohet që pushtetin don me marrë në dhunë dhe kur një parti politike është e regjistruar në një vend tjetër dhe don me perfomu në Kosovë”, tha Jakaj.

Sipas tij, nuk është arritur të dëshmohet në mënyrë procedurale se pjesëtarët e Listës Serbe kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë ose në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e gazetarëve.