20:34 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / indeksADMonline

Jakup Krasniqi ndan pjesë nga dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi ka ndarë pjesë nga dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës.

Në dëshminë e tij thuhet se ai është i bindur se UÇK-ja nuk ka bërë krime siç akuzohet dhe nuk sheh ndonjë arsye që pjesëtarët e saj të zbrazin deri në Tribunalin e Hagës, shkruan Indeksonline.

Pjesë nga dëshmia e Jakup Krasnqit në Tribunalin e Hagës:

23. Prokurori: Zotëri, tani do të dalë në një temë tjetër, por dua të ju pyes për ardhjen tuaj këtu: a keni marrë një thirrje detyruese për të ardhur këtu përpara trupit gjykues?
Krasniqi: Po, e kam marrë një thirrje detyruese dhe këtu dua të them para trupit gjykues se fillimisht ju kam thënë se nuk jam i gatshëm të jap deklaratë kundër Fatmir Limajt dhe shokëve të tij që janë këtu. Kjo ka qenë një nga arsyet. Arsye tjetër ka qenë se unë kam edhe sot bindjen se UÇK-ja gjatë jetës së saj të shkurtër nuk ka bërë krime siç akuzohet dhe nuk shoh ndonjë arsye që pjesëtarët e saj të zbrazin deri në Tribunalin e Hagës. Nuk kam dashur të jap deklaratë, se deklaratat e mia kanë qenë shumë publike, kanë qenë transparente para opinionit të Kosovës dhe atij botëror, dhe nuk kam pasur çka të shtoj. Detyrat e zëdhënësit të çdo ushtrie dhe të çdo vendi janë të njohura. Një arsye tjetër është se unë edhe sot e kam bindjen se aktakuza për të akuzuarit është ngritur nga dëshmitë e motivuara politikisht, nga njerëzit që kanë qenë në shërbim të dhunës se pushtuesit në Kosovë. Janë dëshmitarë që janë përpunuar paraprakisht para se ti merrnin hetuesit e Tribunalit dhe prokurorët. Ata janë përpunuar nga shërbimi informativ serb, nga shërbimet sekrete serbe. Këto kanë qenë arsyet pse unë kam hezituar të jap deklaratë për prokurorinë. Po këto janë edhe arsyet pse kam hezituar dhe nuk kam ardhur me vullnet, edhe pse kam çka të them, kam shumë për për të thënë për luftën, sidomos pë r politiken e UÇK-së. Unë sot para këtij trupi gjykues do ta them të vërtetën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për luftën e saj të drejtë dhe çlirimtare, e që në fakt ishte lufta e popullit të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ajo që e ka bë rë dhe udhëhequr atë luftë.
***
31. Prokurori: Pyetja ime tjetër është, unë e kuptoj se raporti nuk ishte fjalë për fjalë ajo çka ju keni thënë, por ishte një përmbledhje e atyre që kishit thënë në një intervistë. A je pajtuar me saktësinë e kësaj përmbledhjeje të ngjarjeve të thëna në raport?
Krasniqi: Në përgjithësi është thënë ajo që e kam thënë edhe unë.
32. Prokurori: Kur jeni bërë anëtar i UÇK-së?
Krasniqi: UÇK-në duhet ta ndajmë në dy pjesë: Tjetër është udhëheqja politike e UÇK-së, dhe natyrisht ajo përbëhet edhe prej pjesës tjetër, operativës që ka ekzistuar nga fillimi i UÇK-së. Unë, nga fillimi i UÇK-së, kam pasur lidhje me shokët që kanë formuar UÇK-në dhe bile ne kemi qenë të organizuar në organizma politik, por pa emrin e UÇK-së edhe para vitit 1991, saktësisht 30 dhjetor të vitit 1991, kur Adem Jashari dhe formacioni politik i armatosur i tij në Prekaz ka bërë qëndresën e parë të armatosur kundër forcave policore dhe ushtarake serbe. Pastaj, Adem Jashari me formacionin e tij politik, për disa ditë ka qenë në familjen time, pastaj në disa familje tjera në fshatin tim dhe kështu ne kemi filluar lidhjet edhe me krahun e armatosur. Në vitin 1993 mund të themi se ka qenë e formuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila më vonë, në vitin 1994, përmes komunikatave do të bëhet e njohur për opinion.
33. Prokurori: Do të ju bëjë disa pyetje tjera për atë që sapo na the, por sapo kuptova se kam harruar të them, do të bëjë një pyetje shumë të rëndësishme: Çfarë pune bëni ju tani?
Krasniqi: Tani unë jam sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike në Kosovë dhe jam shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Parlamentin e Kosovës.
Krasniqi: Po natyrisht ka ndryshime në qeveri dhe partia ime është në opozitë.
***
38. Prokurori: Tani duhet ti kthehem përgjigjes që keni dhënë pak më përpara për fillimin e përfshirjes tënde në UÇK. Dua vetëm të kuptoj atë që po thoni ju, a po e kuptoj drejt kur them se se më 1991 ju jeni bërë anëtar i një organizate politike e cila ishte si një pararendëse e saj që me vonë u bë UÇK. A është kështu?
Krasniqi: Nuk është bash ashtu.
39. Prokurori: Na e shpjego të lutem.
Krasniqi: Më 23 korrik ‘91 unë kam dalë nga burgu pas 10 vite e tre-katër muajsh. Atëherë në Kosovë si lëvizja më e madhe, si parti më e madhe ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës pasi shumica e qytetarëve ishte në atë lëvizje dhe shpresonim se ajo parti, apo lëvizje siç quhej me tepër, do të angazhohet më seriozisht për të realizuar aspiratën e qytetarëve të Kosovës, që edhe qytetarët ta gëzojnë lirinë dhe demokracinë. Do të thotë, kam qenë anëtar i LDK-së, por gjatë asaj kohe ka ndodhur një aksion i armatosur. Natyrisht këto aksione kanë qenë krijesa të lëvizjes ilegale edhe të para viteve ’90-ta, kështu që unë këtë fillim të kësaj rezistence e kam quajtur edhe si pjesë të luftës sime të planit politik për të realizuar qytetarët e Kosovës edhe lirinë edhe demokracinë. Për të ndërtuar shtetin e pavarur, për lirinë e gjithë qytetarëve të saj..
40. Prokurori: Atëherë, kur do thoshit ju që jeni bërë anëtar i luftës së armatosur, në cilin vit?
Krasniqi: Thash se viti 93 shënon, në një formë, bashkimin e një krahu politik me atë të armatosur dhe nga ky krah, nga ky bashkim është krijuar UÇK-ja e cila në viti 1994 me një komunikatë e njofton opinionin se për shkak të dhunës së egër serbe, për shkak të maltretimeve e ndjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve, për shkak të dhunës së eger që po ushtronte pushtuesi në Kosovë, që kishte ushtruar edhe më herët, por në kohën e Millosheviqit ai do të forcohet, do behët gjithnjë e me i rëndë, gjithnjë e më i padurueshëm dhe ne rrethana të tilla është krijuar edhe formacioni politik dhe ushtarak që tanimë është i njohur me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
41. Prokurori: Dhe kur kjo ndodhi në vitin 1993 e 94 ti a e shihje veten si anëtarë? Pas vitit 1993-94 a ishin ju pjesë e krahut politik apo ushtarak, apo anëtar i të dy krahëve?
Krasniqi: Më tepër kam qenë në krahun politik për faktin se unë isha në Kosovë, dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në Kosovë. Kam qenë në atë kohë edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së në Drenas. Kam qenë edhe deputet, se në vitin 1992 në Kosovë janë mbajt zgjedhjet e lira dhe në ato zgjedhje të lira unë kam qenë i zgjedhur deputet për Drenas. Deputet në Parlamentin e Kosovës, i cili Parlament për shkak të dhunës së ushtruar dhe pengesave që i ka bërë regjimi i Beogradit nuk ka arritur ne asnjë kohë të konstituohej dhe të funksionoj si parlament. Njëkohësisht kjo ka qenë veprimtaria ime legale dhe në anën tjetër ka qenë edhe veprimtaria ilegale, për shkak se atëherë të luftosh për demokracinë ishte e ndaluar me ligjet e Federatës Jugosllave, që tani faktikisht ishin bërë ligje të Serbisë, por vetëm emrin e mbante Federatë Jugosllave. Për të punuar për vendin tonë ishte e domosdoshme edhe organizimi në organizata ilegale, klandestine. Se di se cili term do ti përgjigjej më mirë fjalorit tuaj, por është e njëjta gjë. UÇK-ja ishte organizim i fshehtë, se mundësi tjetër të veprimit nuk ka pasur.
Prandaj, qenia ime në UÇK ilegalisht dhe legalisht në LDK ishte një domosdoshmëri. Unë asnjë kohë s’kam mundur ta pranoj poshtërimin që regjimi i Beogradit i bënte qytetarëve shumicë në Kosovë.
42. Prokurori: A mund të na thoni shkurtimisht se cilat ishin aktivitetet ilegale apo klandestine, çfarë ishin ato. Ti na fole për veprimtarinë legale, po veprimtaritë ilegale në vitet ‘93 e’ 94 cilat ishin?
Krasniqi: Veprimtaritë ilegale kanë pasur për qëllim të zgjerojnë krahun e rezistencës kombëtare në Kosovë. Kanë pasur për qëllim që t’i përgatisin qytetarët e Kosovës për luftë çlirimtare, kanë pasur për qëllim që dhunës e terrorit serb t’i thonë ndal, kanë pasur për qëllim që qytetarëve të Kosovës t’ua kthejnë nderin dhe dinjitetin, t’ua kthejnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë Ky ka qenë qëllimi i kësaj organizate dhe i të gjitha organizatave tjera që kanë ekzistuar e vepruar në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.
43. Prokurori: Çfarë mjetesh keni përdorur për t’i arritur këto synime?

Krasniqi: Në vitin 1991 për qytetarët e Kosovës i kishin harxhuar të gjitha mjetet e luftës politike dhe lufta kishte mbetur mjeti i fundit i politikës demokratike, që qytetarët e Kosovës të fitojnë të drejtën e tyre, lirinë e tyre. Kishte mbetur vetëm krijimi i formacioneve të armatosura që edhe më armë të luftohej kundër atyre që ushtronin dhunë dhe terror në Kosovë.