10:04 / E Mërkurë, 27 Janar 2021 / A K

Jakurti: Hoti po manipulon, nuk ka shpëtuar asgjë nga rënia ekonomike

Edison Jakurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka manipuluar pasi nuk ka shpëtuar asgjë nga rënia ekonomike, shkruan IndeksOnline.

Jakurti ka thënë se Hoti nuk e di sa ka qenë rënia vjetore, më 2020 pasi dihet pas vlerësimit të tremujorit të fundit të vitit 2020.

Postimi i plotë:

Dulla Hoti po manipulon, duke thënë se, kur e ka filluar punën si KM, pritjet kanë qenë për rënie ekonomike prej 11%.

E para, vlerësimi për rënie të mundshme prej 11.3% ka qenë skenari më pesimist nga 3 skenarët e Bankës Botërore. Dhe, ky ka qenë vlerësim ex ante (para se të ndodhë). Duke qenë më pesimist, edhe vetë institucioni e vlerëson si më pak të mundshëm për gati panumër faktorë që mund ta ndryshojnë situatën. Pra, as vetë institucioni nuk e mbron këtë parashikim me zellin e Dullës, që tingllon sikur t’ketë dashur që diçka e tillë të ndodhte.

E dyta, Dulla nuk e di sa ka qenë rënia vjetore në 2020. Askush nuk e di me siguri këtë pasiqë një gjë e tillë mund të dihet me siguri veç ex post, pasi të bëhet vlerësimi edhe i tremujorit të fundit të vitit 2020.

E treta, ajo që dimë është se gjatë tremujorit të tretë të 2020 (tremujori i parë i plotë me Dullën KM), rënia reale ekonomike ka qenë 7.25%. Vlerësimet më të mundshme, para, gjatë, dhe pas Dullës, sjellen tek një rënie vjetore prej rreth 8% – por, shifrën e saktë, do ta kuptojmë vetëm pas disa javësh.

Për këto arsye, Dulla s’ka shpëtuar asgjë nga ekonomia. Por këtë nuk e kupton, “profa i ekonomisë.”