James i magjishëm në fitoren e Cavaliers ndaj Raptors
Vështirë të gjesh epitetet më të përshtatshme për LeBron James, që merr përdore Cleveland Cavaliers dhe i afron edhe më shumë me finalen e Konferencës së Lindjes në NBA.
“Ylli” i Cavs, një nga më të mirët në historinë e basketbollit amerikan, ishte thjesht i magjishëm në përballjen e dytë të serisë gjysmëfinale ndaj Toronto Raptors, me skuadrën e tij që fitoi 110-128 dhe thellon në 2-0 serinë e përballjeve.
“Mbreti” James dhuroi spektakël në “Air Canada Centre”, duke shënua 43 pikë, dhënë 14 asiste dhe kontrolluar 8 topa poshtë koshit. Ai shndërrohet në basketbollistin e vetëm në histori që realizon më shumë se 40 pikë, shoqëruar me 14 asiste, në ndeshet e play off-it.
DeRozan nuk shkoi më shumë se 24 pikë për Raptors, ndërsa Lowry u ndal në 21 pikë.
Boston Celtics siguruan një fitore të madhe 108–103 brenda në “TD Garden” ndaj Philadelphia 76ers, duke përmbysur një disavantazh prej 22 pikësh të periodës së dytë. Bostoni tregoi më të mirën në pjesën e dytë, me një rezultat të pjesshëm 45-17, pas rikthimit mbi parket të Jaylen Brown dhe formës së shfaqur nga treshja Rozier-Tatum-Smart, me 60 pikë në total.
Tentuan gjithçka në fund Redick, Covington dhe Embiid për të kthyer në rezultatin, por morën goditjen përfundimtare nga Rozier dhe Horford, që e çuan në +5 pikë diferencën 6 sekonda para rënies së sirenës, duke shuar shpresat e 76ers qoftë për të barazuar rezultatin brenda kohës së rregullt.
Me serinë që shkon 2-0 për Cetlics, dy përballjet e radhës zhvendosen në “Wells Fargo Center” të Philadelphias.