75 Mall Live Search
21:01 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Janë 16 linja autobusësh që shkojnë për Fushë Kosovë, qytetarët preferojnë 1-shat

Qindra taksistë ilegalë e përshkojnë për çdo ditë Prishtinën e Fushë Kosovën, duke i dhënë udhëtarëve një mundësi më të shpejtë të transportit e punëtorëve sezonalë një mjet mbijetese.

Është imazh që shihet shpesh për ata që udhëtojnë nga Prishtina në Fushë Kosovë: pret në stacion autobusi, e në vend të autobusit një burrë e ngrit një gisht tregues për ta shënjuar numrin 1. Hyn brenda, ngusht a gjerë sido të jetë. Për 50 cent (vetëm 10 cent më shtrenjtë se autobusi) e kalon rrugën që e lidh kryeqytetin me qytezën më të madhe.

Megjithatë, puna e këtyre shoferëve është e paligjshme.

Qindra taksistë jo-formalë, që funksionojnë si mjet paralel ndaj transportit urban, e përshkojnë linjën e autobusit 1 në baza ditore. Shumica nga ta nuk kanë licenca të taksive. Por edhe ata që kanë licenca janë në kundërshtim me Ligjin për Transportin Rrugor, i cili nuk e lejon marrjen e udhëtarëve jashtë territorit të komunës ku taksi është i licencuar. (Ndonëse taksitë mund të çojnë udhëtarë në destinacione që janë në qytete të tjera, sipas këtij ligji nuk lejohet marrja e pasagjerëve jashtë territorit të komunës).

Shumica e njerëzve që punojnë në këtë linjë përballen me mungesën e mundësive për punë apo me pasiguri në vendet e tyre të punës.

Ndonëse janë 16 autobusë që punojnë në linjën 1, kjo linjë, që e lidh Prishtinën me komunën gjithnjë në rritje, Fushë Kosovën, në këtë linjë kalojnë qindra taksi ilegale për çdo ditë.

Në një ditë të kthjellët fund-dimërore, prisja në një stacion autobusi afër kampusit të Universitetit dhe për nja 3 minuta erdhi taksi. Shoferi i kësaj taksie, Haliti, burrë rreth të 30-tave, dëgjonte, pop dhe R’n’B shqip, në CD-në e tij, duke thënë se nuk i pëlqen t’i dëgjojë lajmet në radio.

Si shumë taksistë me të cilët kam kaluar kohë, Haliti flet shkurt dhe nevrikoset me veturat e tjera dhe trafikun që bëhet gjatë rrugës.

Në shtator të 2017-tës, Haliti u gjobit me 50 euro dhe vetura e tij u konfiskua për 3 ditë si pasojë e punës si taksist ilegal.

Por, ka mundësi që kjo të ketë qenë fat i keq. Përderisa janë dhjetëra gjoba e konfiskime të veturave, vazhdojnë të operojnë qindra taksi. Kjo mund të jetë edhe për shkak të inspeksionit: në Prishtinë inspektorët e kanë kohën e ndarë se kur e çka inspektojnë, ndërsa Komuna e Fushë Kosovës e ka një inspektor të trafikut. Siç thonë disa taksistë të regjistruar nuk mund të kapen të gjithë. Megjithatë, pritet të ketë rritje të përpjekjeve për ndalimin e veprimit të taksive ilegale në kryeqytet. Sipas Brahim Mehmetajt, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, në qoftë se miratohet Ligji për Kryeqytetin, një nga detyrat që do t’i bënte policia e Prishtinës është edhe ndalimi i aktivitetit të taksive ilegale.

“Janë mbi 400 njerëz që janë identifiku që punojnë në linjën 1 në komunën e Prishtinës – një barrë të rëndë—na shkaktojnë pengesa edhe në trafik por bëjnë dëm financiar normalisht edhe te Trafiku Urban”, tha Mehmetaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Si pasojë e taksistëve ilegalë të cilët marrin pasagjerë, duke hyrë në linjat e autobusëve, autobusët mbushen vetëm deri në 50%”, tha Ismail Kokaj, drejtori i Shërbimeve Publike pranë Komunës së Prishtinës. Taksistët thonë se është ters për ta kur e kanë autobusin përpara.

Sipas, Afrim Krasniqit, duhet të ketë një nismë të madhe të legalizimit të taksive që po operojnë aktualisht. Për ta licencuar një taksi në Komunën e Fushë Kosovës aplikanti duhet ta ketë letërnjoftimin, patentë shoferin, librezën e veturës dhe certifikatën e vendbanimit. Këta taksistë individualë që regjistrohen, paguajnë edhe 40 euro taksë komunale në vit. Në Prishtinë kriteret janë pak më ndryshe mirëpo, sipas Genc Bashotës, drejtorit të Planifikimit, në Komunën e Prishtinës, kjo taksë është 0 në këtë komunë.

Megjithatë, Afrim Krasniqi ka thënë se numri i taksistëve ilegalë është vështirë të bjerë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të një pjese të konsiderueshme të popullsisë.

Shumica e taksistëve e kalojnë linjën 1, 7 apo 8 herë në ditë. Fitimi i tyre ditor është 10 euro (i qarkullojnë 20 euro, 10 nga të cilat shpenzohen në karburant).

Në veturën që po shkonte në drejtim të Fushë Kosovës, Haliti tregoi se ka punuar në konstruksion rrugor. Por, ai e preferon shumë më shumë punën e tij verore.

“Ma kabull e bon njeri me punu n’kanall. Bile e din që i merr pak pare për dit”, tha ai, duke u ankuar rreth paqëndrueshmërisë së punës së tij. “A pe sheh qe veç ty t’kom udhtar”.

Haliti i ka tre fëmijë, më e reja nga të cilët është 4 vjeçare. Ai shtoi se puna si taksist është e mjaftueshme sa për t’i çuar pak gjëra në shtëpi.

“At’her jam lodhë sa jam lodhë, e kam shku te shpija. Kshtu lodhësh. S’mun ecë more—s’mun ecë, venat e komve t’dhamin”, u shpreh Haliti.

Iliri, një taksist tjetër 56-vjeçar, i cili ka punuar e ka emëruar punën e taksistit në linjën 1 si “merr-jep” duke iu referuar fitimit ditor.

“Ditën merr natën jep. Qashtu ja kom lanë emnin, merr-jep”, tha Iliri.

Iliri, i cili tha se është i regjistruar dhe nuk mbante as shenjë të taksit e as licencë me vete, tregoi se ka punuar në si transportues i materialit ndërtimor gjatë verës, dhe se shpesh e mendon ndërrimin e punës.

“Une e shoh si punë sot për nesra. Gjithmonë pres për me ndërpre e me punu diçka tjetër”, shpjegoi ai.

“Kjo vijë u ba, kshtu me thanë, e famshme, jashtzanonisht e famshme që njerzt po munohen, papunësia e ka ba t’vetën, munohën me nxjerrë pak pare sa me metë gjallë, ma shqiptarçe”, shtoi ai duke komentuar rreth linjës 1”.

Shoqata Auto Taksi në Fushë Kosovë, që i përfaqëson taksistët individualë të regjistruar – shumë nga të cilët operojnë në linjën 1 — ankohen se janë bërë shumë taksistë ilegalë.

Besniku, anëtar i kësaj shoqate, tha numri i taksistëve joformalë është 8 herë më i madh se i atyre të regjistruar. Dy komunat nuk kanë numra të saktë por e pranojnë se ata që operojnë ilegalisht janë me qindra.

Besniku, tha se është më rehat pasi që është i regjistruar.

“Na me leje t’punës i kena denimet ma t’vogla, 100 euro, e kshtu denimet shkojnë deri n’800 euro”, shtoi ai.

Edhe pse mund ta marrë një gjobë më të vogël në Prishtinë nëse kapet duke pritur udhëtarë në stacion të autobusëve, ai tregohet i kujdesshëm për të mos pritur gjatë aty.

Afrim Berbatovci, drejtuesi i shoqatës së taksive e fajësoi numrin e madh të “taksive ilegalë” për vështirësimin e jetës së taksistëve të regjistruar.

“Kurrë nuk e din sa janë…E qysh me punu taksi, si taksist qysh e lyp reni me status. Pra jemi detyru edhe na me hi n’vijë”, shprehet ai.

Duke u kthyer në Prishtinë e takova Vehbi Maqastenën, taksist 60-vjeçar por edhe këngëtar dhe instrumentist. Ai thotë se është përkthyes i shkëlqyeshëm i serbishtes por nuk ka mundur të punësohet ndokund megjithëse ka kërkuar punë. E kështu sot e 10 vite puna e tij është ajo e taksistit në linjën 1.

“E kom pasë ni kafe, masanej ni bastore po nuk ka ecë edhe u desht me ja nisë si taksist”, u shpreh Maqastena.

“Kjo është punë e zorit. 1-sha punojnë vetura prej krejt Kosovës. Ma së pakti ka t’Prishtinës edhe t’Fushë Kosovës që punojnë…”, tha ai.

“S’kem ça bajm tjetër! Ça me ba?!”