Janë futur në Superligë, Betim Haxhimusa në bisedime për të vazhduar me Ferizajn

Skuadra e Ferizaj-t siguroi futjen në elitën e futbollit kosovar për sezonin e ardhshëm 2024/25, duke u shpallur kampion në Ligën e Parë.
Futbollistit Betim Haxhimusa kontrata i skadon gjatë muajit të ardhshëm, por Indeksonline kupton se lojtari është në bisedime të avancuara me skuadrën e “kaltër” për të vazhduar tutje.

Haxhimusa i cili kaloi një sezon fantastik në Ligën e Parë, duke shënuar 15 gola dhe duke bërë 6 asiste është i gatshëm të firmos një kontratë të re me “ujqit” përkundër ofertave nga klubet tjera kosovare.
32-vjeçari gjatë vitit 2022 iu bashkua Ferizaj-it nga klubi gjilanas, Drita, kurse më parë luajti edhe për ekipet si: Prishtina dhe Gjilani.
Haxhimusa gjatë karrierës së tij ka fituar dy tituj, me Dritën titullin e ligës në vitin 2020 dhe me të njëjtën skuadër Superkupën e Kosovës gjatë sezonit 2018/19./Indeksonline/