Janjeva, një destinacion turistik në zhvillim e sipër (Foto)

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se janë të përkushtuar për të ruajtur dhe për të ringjallur trashëgiminë jomateriale të Janjevës dhe për të mbështetur fuqizimin socio-ekonomik të banorëve të saj përmes iniciativave të rrënjosura thellë në trashëgiminë e saj të pasur dhe të prekshme, duke e vendosur Janjevën në hartën e destinacioneve turistike që duhen vizituar.
“Si pjesë e aktivitetit “Hartëzimi i turizmit rural në Janjevë” i zbatuar nga OJQ EC Ma Ndryshe dhe i mbështetur nga projekti i zbatuar nga UNDP Kosovo “Trashёgimia Kulturore si Nxitёse e Ringjalljes Ekonomike tё Janjevës”, financuar nga MKRS dhe European Union in Kosovo, ka përfunduar hulumtimi në terren për identifikimin dhe hartografimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Janjevës”, ka thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ministria falënderon pesë pjesëmarrësit e jashtëzakonshëm që morën pjesë në programin e trajnimit të Guidave Turistike, të cilët po fitojnë përvojë në punë dhe po luajnë një rol kryesor në transformimin e Janjevës në një destinacion për vizitorët.
Informacionet e mbledhura do të integrohen në një webfaqe, duke ofruar njohuri të vlefshme në vendet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që Janjeva ofron për vizitorët.
