17:43 / E Diele, 21 Prill 2019 / indeksADMonline

Japonezi i verbër kalon Paqësorin me varkë

Mitsuhiro Ivamoto (52) nga Japonia u bë personi i parë i verbër që kalon Oqeanin Paqësor me varkë me vela, njoftojnë mediat japoneze.

Ai arriti  dje në mëngjes në portin e Fukushima me varkën e tij prej 12 metrash, rreth dy muaj pas lundrimit nga Kalifornia.

Ivamoto, i cili jeton në San Diego të Kalifornisë, lundroi nga qyteti amerikan më 24 shkurt, së bashku me Doug Smith, një marinar amerikan që e ndihmoi duke i dhënë informacione, të tilla si drejtimin e erës.

Kjo ishte përpjekja e dytë e Ivamoto, pasi gjashtë vjet më parë ai ndërpreu  rrugëtimin kur varka e tij u mbyt pasi u godit nga një balenë.

“Jam këtu në shtëpi. Faleminderit. Unë nuk u dorëzova dhe e përmbusha ëndrrën time, “tha Ivamoto në një ceremoni festive në Fukushima, ku udhëtimi i tij prej 14.000 kilometrash përfundoi.