75 Mall Live Search
08:43 / E Hënë, 09 Gusht 2021 / OSH

Japonia, model i përballimit të krizës për një Olimpiadë spektakolare

U mbyllën përfundimisht në Japoni Lojërat e 32-ta Olimpike. Një Olimpiadë e veçantë dhe tepër e suksesshme, që do të kujtohet mbi të gjitha vërtet shumë gjatë për rrethanat në të cilat u zhvillua. Një sukses i merituar natyrisht për “vendin e lindjes së diellit” si dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, që pavarësisht kushteve të vështira ia dolën për të përgatitur dhe organizuar Olimpiadën e Tokios në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pasi u shtynë fillimisht me një vit për arsye të virusit Covid – 19, Lojërat Olimpike Verore të kryeqytetit nipon u vunë seriozisht në dyshim gjatë muajve të pranverës të vitit 2021, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së pandemisë së Koronavirusit. Vendasit këtë herë ofruan garanci të plota dhe këmbëngulën gjatë për respektimin e afateve të përcaktuara, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pra nga 23 korriku deri më datën 8 gusht dhe në fund më të drejtë gjithçka duhet konsideruar si sukses, megjithëse janë të shumtë ata që mendojnë se Olimpiada e Tokios nuk mund të shtyhej dot më tepër, për shkak të detyrimeve kontraktuale multi – miliardere me kompaninë që mbulonte të drejtat televizive të këtij aktiviteti madhor.

Pavarësisht shpenzimeve të shumta organizatorët menduan deri në detaje për mbarëvajtjen e këtyre lojërave, megjithëse për hir të së vërtetës bëhet fjalë për një kosto tepër të lartë. Që nga viti 2013 kur kandidatura e Tokios, e mbështetur fuqimisht nga kryeministri Shinzo Abe fitoi të drejtën për zhvillimin e Olimpiadës së vitit 2020 Japonia mendohet se ka shpenzuar plot 15 miliardë dollarë për organizimin e Lojërave Olimpike, madje sipas vlerësimeve private në Lindjen e Largët llogaritet që ajo shifër të jetë dyfishuar tashmë.

Vetëm shtyrja e Lojërave të 32-ta Olimpike nga 2020 në vitin 2021 mendohet t’i ketë shkaktuar një humbje prej 5,8 miliardë dollarë ekonomisë japoneze, për shkak të shpenzimeve që nevojiteshin për të mirëmbajtur objektet e papërdorura, ndërkohë duke shtuar sigurisht edhe mungesën e turistëve dhe spektatorëve këto humbje mendohet se mund të kenë prekur shumën e 23 miliardë dollarëve.

Për shumë vende një shifër e tillë do të kishte pasoja katastrofike, por në këtë rast bëhet fjalë për Japoninë, që përfaqëson fuqinë e katërt botërore, përsa i përket prodhimit të brendshëm bruto, pas vetëm Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe Indisë. Kuptohet, një vend tjetër me shumë gjasa do të ishte dorëzuar dhe tërhequr, sepse sipas përllogaritjeve të bëra nëse Japonia do të kishte hequr dorë 12 muaj më parë nga zhvillimi i Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të Tokios do të kishte patur 17 miliardë dollarë më shumë për të injektuar në ekonominë vendase, megjithatë në fund mund të thuhet me plot gojën se gjithë kjo iniciativë e guximshme ia vlejti.

17 ditë të gjata dhe të mbushura plot emocion, ku siguria ishte në maksimum, deri në atë pikë sa Qeveria Japoneze ndaloi fluturimin e dronëve mbi objektet e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike. Për të krijuar një infrastrukturë optimale për pjesëmarrësit organizatorët, i përqendruan 28 nga 33 objektet sportive të kryeqytetit në një rreze prej vetëm 8 kilometrash nga Fshati Olimpik.  Në krahun tjetër, falë masave të forta shtrënguese dhe protokolleve të përcaktuar që më herët në bashkëpunim me organet drejtuese të shërbimit shëndetësor në vend u arrit që numri i rasteve pozitive me Covid të kufizohej në vetëm 438 të tilla.

Olimpiada e Tokios mori bekimin edhe të vetë Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe kjo ishte një mbështetje vërtet tepër e veçantë, duke pasur parasysh përqindjet tepër të ulëta të vaksinimit në popullsinë vendase, ndërkohë në kryeqytet rastet e infektimit u pesëfishuan duke shkuar nga 1.000 në plot 5.000 raste të enjten e kaluar.

Ishte një sfidë e madhe për të gjithë, duke filluar nga rregullat pa fund, kufizimet e shumta dhe testimet e përditshme, që duke parë rrethanat i shndërruan këto lojëra deri diku edhe në stresuese për sportistët, gjyqtarët, trajnerët apo dhe mediat, megjithatë në fund duhet shtuar edhe fakti se ishte një model tepër kërkues, që në fund ia arriti qëllimit. Për më tepër, e gjitha kjo kur vetëm një muaj më herët u tërhoqën afërsisht rreth 10.000 vetë nga 80.000 vullnetarët e regjistruar në vend, nga frika dhe rreziku i infektimit të pandemisë së Koronavirusit.