75 Mall Live Search
23:06 / E Premte, 15 Gusht 2025 / MSH

Japonia shënon 80-vjetorin e dorëzimit pas Luftës së Dytë Botërore

Japonia shënoi këtë të premte 80 vjetorin e dorëzimit në Luftën e Dytë Botërore, që i dha fund konfliktit të përgjakshëm.

Zyrtarë të lartë të vendit i bënë homazhe më shumë se 3 milionë viktimave që vendi aziatik pati nga lufta, teksa gjithnjë e më shqetësues është fakti se mësimet e hidhura nga epoka e militarizimit japonez, po zbehen për gjeneratat e reja.

Perandori Naruhito në fjalimin e tij tha se shpreson shumë që shkatërrimi i lufës të mos përsëritet.

Nga ana tjetër, kryeministri Shigeru Ishiba shprehu keqardhje për luftën, të cilën e quajti një gabim. Fjalimi i tij ishte i pari nga një kryeministër japonez që nga viti 2013, që kur ish udhëheqësi i vendit Shinzo Abe e shmangu ne vitin 2013.

Pikërisht që nga ky vit kryeministrat japonezë kishin ndaluar së kërkuari falje ndaj viktimave aziatike të luftës, sipas precedentit të vendosur nga Shinzo Abe.

Ndërkohë dhjetëra ligjvënës japonezë u lutën në Faltoren Yasukuni në Tokio të premten, edhe pse ky vend shihet nga fqinjët aziatikë si një simbol i militarizmit.

Mohimi nga disa ligjvënës i rolit ushtarak të Japonisë në vdekjet masive të civilëve ka ngjallur polemika.

Në një ceremoni kombëtare në sallën Budokan të Tokios, rreth 4,500 zyrtarë dhe pasardhësit e familjeve te prekura nga lufta ne gjithë vendin, mbajtën një moment heshtjeje në mesditë, koha kur filloi fjalimi i dorëzimit të perandorit të atëhershëm më 15 gusht 1945.