Jasharaj: Duam rritje pagash për mësimdhënësit e kontrata kolektive, Nagavci bëri gabimin e njëjtë me librat

Na ndajnë pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor 2025–2026, ndërsa sfidat për arsimin në Kosovë mbesin të njëjta si vitet e kaluara.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për IndeksOnline ka theksuar se mësimi do të nisë me kohë, megjithatë ka ngritur shqetësime serioze për vonesat me tekstet shkollore dhe mungesën e kontratës kolektive për sektorin e arsimit.
“Sa i takon SBASHK-ut, viti shkollor do të fillojë me kohë, ngase në takimet që po i mbajmë në konsultimet edhe me veprimtarë sindikalë nga komunat kemi ardh në përfundim se në situatën që jemi kur nuk janë konstitu as parlamenti e as nuk ka qeveri, as nuk kemi me kë të të zhvillojmë dialog e as nuk kemi kujt t’i drejtohemi të bëjmë protesta e greva për t’i shpalosur kërkesat tona”, deklaroi Jasharaj.
Ai tha se një nga problemet kryesore që pritet të përsëritet është ai i teksteve shkollore.
“Problemi duket se do të jetë ai i viteve të kaluara, është fjala tek tekstet shkollore, ngase edhe duke e parë se dy vitet e kaluara shkuan shumë keq dhe u humbën një muaj e më shumë mësim duke pritur që të furnizohen të gjithë nxënësit me libra. Ministrja në shkuarje z. Arbërie Nagavci bashkë me stafin e vet e përsëritën gabimin si për inat. Mund t’i falet pse ndodhi herën e parë pasi mund të ketë menduar se mund të ketë efekt të mirë, mirëpo u pa që kishte vonesa, kishte prind që kishte prindër me xhirollogari të bllokuara. Kishte telashe të ndryshme me tekste shkollore, një varg problemesh do të përsëriten edhe tani”, shtoi ai
Sipas Jasharajt, mësimdhënësit do të përballen me vështirësi nëse nxënësit nuk furnizohen me kohë me libra.
“Shpërndarja e të hollave është vonuar, dedikuar për tekstet shkollore. Mësimdhënësit do të jenë në hallë sepse nuk mund të fillojnë mësimin derisa të gjithë nxënësit të furnizohen me libra”, theksoi ai për IndeksOnline.
Ai theksoi se sapo të krijohen institucionet e reja shtetërore, SBASHK-u do të kërkojë rifillimin e dialogut për kontratën kolektive.
“Pika më e nxehtë, menjëherë pas krijimit të institucioneve ne do të insistojmë që të ulemi të bisedojmë për kontratën kolektive ngase çdo 3 vite ligji i punës thotë se duhet nënshkruar kontratën tjetër. Ne për momentin edhe arsimi edhe shëndetësia edhe të tjerët jemi pa kontratë kolektive, por ka vite që Kosova nuk ka as marrëveshje kolektive që do të vlente edhe për sektorin publik edhe privat. Por do të kemi edhe dialog sepse nëse i marrim statistikat edhe i krahasojmë pagat e Shqipërisë me pagat e arsimit në Kosovë shihet që atje kanë shënuar rritje të vazhdueshme të pagave, ndërsa pagat në Kosovë kanë mbetur shumë më të ulëta dhe në vendet përreth nesh”.
Në fund, ai vuri në dukje se investimet e premtuara për “shkollën e shekullit 21” janë në kontrast me realitetin në terren.
“Do të kërkojmë rritje të koeficientit të pagave patjetër, do të kërkojmë kushte të tjera të punës ngase shpesh po flitet që do të bëhen investime për ta kryer shkollën në shekullin 21, mirëpo ne do të fillojmë vitin e ri shkollor me drojën që do të na vonohen tekstet shkollore, e do të fillojmë me shkumsa e shpuza që nuk janë mjete pune të shekullit 21”.
“Mungon shumëçka në shkollat tona dhe pastaj po akuzohemi për arritje që nuk janë ato që ishin deshtë të jenë, ne mundohemi të kemi arritje shumë më të mëdha, por me vonimin e teksteve dhe me shkumës e shpuzë nuk do të kemi arritje kulminante me këto kushte që i kemi”, përfundoi ai./IndeksOnline/