11:59 / E Hënë, 17 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Jashari: Amaneti i të rënëve jetësohet duke e zhvilluar shtetin

Kuvendi komunal i Skenderajt për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosova ka mbajtur një seancë solemne.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari kujtoi të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës.

Ndonëse shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt 2008 e vlerëson si betejë të fituar, sipas tij lufta e Kosovës ende nuk ka përfunduar.

“Sot kujtojmë heroizmin e familjes Jashari, luftën e shenjtë çlirimtare të komandantit legjendar Adem Jashari e bashkëluftëtarëve të tij, kujtojmë masakrat mbi civilët në Qirez e Likoshan, Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë e Madhe, Has e masakra të tjera mbi popullin e pafajshëm e liridashës shqiptar. Kujtojmë e nderojmë sakrificën e invalidëve të UÇK -së e viktimat civile të luftës sonë çlirimtare. Populli ynë i përvuajtur, i robëruar me shekuj e i etur për liri bëri rezistencë të pashembullt, luftë të pastër në mbrojtje të tokës sonë dardane, popullit tonë demokratik e liridashës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 ishte edhe një betejë më shumë e fituar me mund e sakrificë por lufta jonë ende nuk ka përfunduar”, theksoi i pari i Skenderajt.

Bekim Jashari, i cili është edhe djali i heroit Hamëz Jashari, tha se Kosova edhe pas 12 vite pavarësi po përballet me sfida të mëdha, por të cilat mund të tejkalohen vetëm duke qenë të bashkuar e duke vënë interesin shtetëror para çdo interesi partiak e grupor, pasi amaneti i të rënëve jetësohet duke e zhvilluar shtetin.

Tani kemi shumë punë që ta bëjmë shtetin të fortë ashtu siç e ëndërruan dhe e deshën të parët tanë. Tani duhet të punojmë bashkërisht, përtej dallimeve tona ideologjike, politike e konceptuale në zhvillimin e vendit, fuqizimin e rendit e ligjit, arsimit, shëndetësisë e rinisë, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe ndaljen e migrimit të të rinjve jashtë vendit. Sot patriotizëm është besimi në vlerat institucionale e demokratike, kujdesi për shtetin, për pronën publike, mjedisin, ruajtjen e vlerave tona tradicionale e historinë tonë të lavdishme”, tha Jashari.

Jashari shprehu gatishmërinë e tij për të qenë në shërbim të qytetarëve, në shërbim të ngritjes së mirëqenies sociale, zhvillimit të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës e bujqësisë si bazë e zhvillimit ekonomik e punësimit në Komunën e Skenderajt.

Për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Komuna e Skenderajt ka organizuar një sërë aktivitetesh, ndërsa në ora 13:0 0 mbahet manifestimi qendror.