Jashari: Viti i ri shkollor në Kamenicë do nis me greva
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës ka bërë të ditur se viti i ri shkollor do të fillojë me greva në Kamenicë pas vendimit të kryetarit të kësaj komune, Qëndron Kastrati për mbyllje të 19 shkollave.
Kështu të paktën ka bërë të ditur kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari i cili tha se në shtator qytetin e Kamenicës e presin grevat.
Sipas tij, nga takimet që kanë zhvilluar me prindërit dhe me mësimdhënësit është parë një tension i madh.
Jashari po ashtu ka deklaruar se nëse nuk tërhiqet vendimi i Kastratit për mbylljen e shkollave në Kamenicë, SBASHK-u do të reagojnë përmes grevave dhe do pengojë një gjë të tillë.
“Uroj që telashet të jenë më të vogla por po them publikisht kam frikë se ashtu siç ndodhi gjatë verës kur zotëri Kastrati tentoi të takohet me prindërit, me arsimtarët dhe nxënësit dhe kishe kogja tensione në ato takime, kam frikë duke e parë prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit se Kastrati nuk po tërhiqet nga ideja e tij e paplanifikuar mirë mund të vije edhe deri te tensionimi i situatës të përplasa e mundshme që nuk i dëshirojmë. Por le ta dijë Kastrati se ne do të reagojmë ashtu siç dimë, do të ketë greva dhe ky nuk është faji ynë, ngase po them Kastrati duhet edhe po të kishe kërkuar niveli qendror që në Kamenicë vetëm në Kamenicë të mbyllen shkollat Kastrati si i zgjedhur i atyre njerëzve ishte dashur t’i mbroj dhe t’iu thotë jo dhe aq më tepër kur në kemi informacione dhe janë të sigurta se Qeveria e Kosovës, kjo që shkoi kur e ka bërë buxhetin për vitin 2019 ka ndarë mjete të mjaftueshme për numrin ekzistues të arsimit në Kosovë, pra edhe në Kamenicë”, tha ai.
Madje ai ka thënë se në rast se mbyllen shkollat, greva mund të përshkallëzohet dhe në nivelin qendror.
“Ne jemi të vetëdijshëm se po zvogëlohet dita e ditës numri i nxënësve por nuk bëhet puna kështu që të sjellët një vendim aty për aty pa u dhënë përgjigje çka me mësimdhënësit që mbesin pa punë dhe çka me nxënësit udhëtarë kush do t’i sigurojë ata nxënës sepse shkolla nuk zgjatë një ditë dy por më shumë dhe po them Kamenicën do ta pret një grevë. Unë kam frikë se greva mundë të përshkallëzohet edhe në nivel vendi ngase praktikë e sindikatave në botë po edhe e SBASHK-ut është që të solidarizohet me kolegët tanë dhe unë besoj që edhe kolegët tanë kudo në Kosovë do ti kërkojnë që të kemi greva në nivel vendi duke treguar solidaritetin me kolegët e tyre në Kamenicë por edhe duke e kundërshtuar idenë për mbyllje shkollash në Kosovë ngase kjo ide mundë të përhapet pastaj edhe në komuna të tjera dhe do të kemi shumë telashe”, tha ai.
Ndryshe, 19 shkolla pritet të mbyllen në Kamenicë në shtator, sipas vendimit të kreut të kësaj komune, Qëndron Kastrati për shkak të gjendjes së keqe të higjienës.