Jasir Asani e Medon Berisha flasin për ndeshjet e Shqipërisë gjatë muajit shtator

Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur grumbullimin për ndeshjet e shtatorit, me lojtarët që janë mbledhur në Malaga të Spanjës.
Shqipëria do të luajë ndaj Gjibraltarit si mysafire në kuadër të ndeshjeve miqësore, teksa do të pres Letoninë, me të cilën luan në kuadër të kualifikimeve të Botërorit 2026.
Para këtyre dy ndeshjeve kanë folur edhe dy futbollistë shqiptarë, Medon Berisha dhe Jasir Asani.
Jasir Asani e vlerësoi atmosferën pozitive dhe theksoi se janë të fokusuar te ndeshja me Letoninë për të marrë tre pikë.
“Atmosfera dihet që është shumë e mirë, sot është dita e parë e stërvitjes. Atmosfera është shumë pozitive dhe të gjithë jemi në maksimumin tonë. Do përgatitemi për Letoninë. Kemi një ndeshje miqësore dhe duhet të përgatitemi të vijmë në formën më të mirë dhe me datë 9 patjetër që duhet të marrim tre pikët në shtëpi. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar te ndeshja me Letoninë, të gjithë do japin maksimumin që t’ia dalim sepse 3 pikëshi në shtëpi mund të ndryshojë edhe tabelën. Tifozët janë mbështetja jonë e madhe dhe mendoj se do të vijnë plot dhe do e mbushin stadiumin për të na dhënë ne përkrahje të madhe. Ne do japim nga nxehja maksimumin sepse ne duhen ato 3 pikë. Besoj se bashkë me tifozët do ia arrijmë”, tha Asani për faqen zyrtare të FSHF-së.
Ndërkohë, edhe Berisha po ashtu e vlerësoi atmoferën në ekip para këtyre dy ndeshjeve.
“Atmosfera është shumë e mirë, po presim skuadrën të grumbullohet për t’u stërvitur sot dhe të përgatisim këto dy ndeshje. Ndaj Gjilbraltarit do e marrim si një test serioz për të parë se ku jemi” – tha Berisha, ndërsa foli edhe për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë që do të luhet më 9 shtator në “Air Albania” në ora 20:45.
“Letonia është ekip shumë i organizuar dhe kompakt dhe duhet të ruajmë tranzicionin negativ të atyre. Kënaqësi të luajmë në “Air Albania” dhe i mirëpresim të gjithë tifozët të na mbështesin”, përfundoi Medon Berisha.