“Java e minatorëve”/ Sivjet nuk shënohet me manifestim qendror

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në një takim anëtarin e bordit të ndërmarrjes publike “Trepça”, Shyqyri Sadiku.
Në këtë takim kryetari Bahtiri është njoftuar nga anëtari i bordit “Trepça” se këtë vit nuk do të ketë manifestim qendror të “Javës së minatorëve” që u dedikohet minatorëve grevistë të vitit 1989, për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë CoVid-19 dhe respektimit të vendimit të Qeverisë për mosgrumbullim të madh njerëzish.
Edhe pse “Java e minatorëve” nuk do të shënohet me manifestim siç është organizuar viteve më parë, gjatë këtij takimi është potencuar se menaxhmenti i “Trepça” SH.A, përfaqësuesit e sindikatës dhe disa nga minatorët janë përkujdesur që të shënojnë disa aktivitete simbolike për nder të kësaj jave të rëndësishme për minatorët.
Ku me kërkesë të bordit të ndërmarrjes “Trepça”, z. Shyqyri Sadiku, ka ftuar edhe kryetarin e komunës, Agim Bahtiri, të jetë pjesëmarrës në shënimin e këtyre aktiviteteve me rastin e 32-vjetorit të grevës së minatorëve 20-28 shkurt 1989.
Në fund u bë e ditur se aktivitetet do të fillojnë me ngritjen e flamurit kombëtar pranë varrit të heroit të kombit “Mehë Uka” në fshati Bajgorë, për të vazhduar me homazhe te Kompleksi Memorial në Prekaz, te Varrezat e Dëshmorëve në Shipol, si edhe në fund vizitë te Pllaka e Minatorëve Grevistë të vitit 1989 në sheshin e qytetit “Isa Boletini”.