14:59 / E Premte, 14 Korrik 2023 / LB

Javë e keqe për euron

Euro e ka mbyllur në rënie të fortë edhe këtë javë, duke u zhvlerësuar me 1% të vlerës së saj kundrejt lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, niveli i ri i shënuar të premten fiksohet në 103.35 lekë, kur vetëm në fillim të javës ndodhej në kuotën e 104.44 lekëve. Tendenca rënëse nuk u ndal në asnjë moment, ndërsa pas publikimit të shifrave zyrtare, në pikat e këmbimit euro pësoi rënie të mëtejshme, duke dhënë sinjale se pas fundjavës mund të presim rekorde të tjera negative.

Rënie të fortë pësuan edhe valutat e tjera. Dollari tanimë ndodhet në nivelin e 92 lekëve, ndërsa paundi britanik zbriti në 120.72 lekë. Dobësimit ndaj lekut nuk i shpëtoi as franga zvicerane, që zbriti në 107.29 lekë.

Muajt Korrik dhe Gusht, janë periudha kur flukset e remitancave dhe veçanërisht shpenzimet e turistëve janë më të lartat. Sipas Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, këta janë dy prej faktorëve kryesorë në forcimin e monedhës tonë kombëtare.