Javën e ardhshme arrijnë në Kosovë vaksinat e blera nga Pfizeri

Më së largu deri javën e ardhshme në Kosovë, pritet të vijnë edhe dy kontingjente me vaksina, nga marrëveshja që Kosova e ka nënshkruar me Pfizer dhe nga asistenca e BE’së.
Kjo gjë është konfirmuar për Express, nga Ministra e Shëndetësisë, teksa aktualisht në vend është duke u zhvilluar procesi i vaksinimit me dozën e dytë të vaksinës.
“Javën tjetër, nëse jo edhe me herët, do të vijnë vaksina nga marrëveshja MSh-Pfizer, por edhe nga asistenca e Bashkimit Evropian për Kosovën me vaksina kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
E procesi i vaksinimit sipas MSh-së është duke vazhduar edhe me dhënien e dozës së dytë të vaksinës. Të pyetur se a kanë doza të mjaftueshme për të dhënë dozat e dyta, nga ministria që udhëhiqet nga Arben Vitia janë përgjigjur pozitivisht.
“Po, ka dhe secili që e ka marr dozën e parë e ka mundësinë që ta marr edhe dozën e dytë”, thuhet më tutje në përgjigje.
Gjatë kësaj jave, edhe Norvegjia ka njoftuar se do t’i dalë në ndihmë Kosovës me vaksina. Nga ky shtet është njoftuar se për Kosovën janë ndarë 180 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca.
Ministria e Shëndetësisë, tashmë ka filluar edhe përgatitjet teknike për pranimin e këtyre vaksinave.
“MSh është duke i bërë përgatitjet teknike te nevojshme për pranimin e vaksinave donacion nga Norvegjia. Bëhet fjalë për 180 mijë doza”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MSh-së, për Express, teksa shtuan se nga java e ardhshme procesi i vaksinimit do të jetë edhe më dinamik.
Për ardhjen e këtyre vaksinave në Kosovë, dje është deklaruar edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi, nga PDK-ja, Bekim Haxhiu.
Ai ka thënë se një pjesë prej mbi 180 mijë vaksinave të AstraZenecas që Norvegjia ia ka dhuruar Kosovës, i skadon afati për vetëm shtatë ditë.
Sipas tij ky është një mashtrim i radhës i Qeverisë Kurti, teksa ka shtuar se vaksinat e AstraZenecas, Norvegjia i ka larguar nga përdorimi.
Në ndërkohë nga 15 qershori në Kosovë ka filluar vaksinimi masiv.