Javën e ardhshme mbyllet procesi në Hagë, Doyle tregon se sa kohë mund të marrë vendimi përfundimtar
Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka deklaruar se për secilin të paraburgosur në Hagë, çdo dy muaj bëhet vlerësimi nëse vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm.
Ai shpjegoi vijueshmërinë e seancave ku po bëhen deklaratat përmbyllëse, shkruan IndeksOnline.
“Prokuroria Speciale e ka përfunduar të martën deklaratën, teksa mbrojtja e Thaçit dhe Veselit kanë bërë argumentet e tyre të mbrojtjes. Pas kësaj, ekipet mbrojtëse të Selimit dhe Krasniqit do të bëjnë deklarata përfundimtare të mbrojtjes. Këto parashtresa pritet të vazhdojnë këtë javë dhe në fillim të javës së ardhshme. Pas mbylljes së rastit nga kolegji gjyqësor, pastaj do të fillojnë vlerësimet e kolegjit, duke trajtuar kredibilitetin e dëshmitareve, bazat dhe peshën e dëshmitarëve, dhe do të vlerësohet secili veçmas. Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa të bëhet vlerësimi i tyre si të fajshëm” deklaroi ai.
Doyle po ashtu shpjegoi edhe përse iu vazhdua paraburgimi ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Sa i përket paraburgimit të Thaçit, në shqyrtim është konsideruar që është ende i domosdoshëm sepse vlerësohet se ka rrezik të mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengonte procedurat e mëtutjeshme dhe mund të ushtrohet vepër penale, ndaj dëshmitarëve” deklaroi ai.
Doyle pohoi se deklaratat përfundimtare pritet të përfundojnë të mërkurën e ardhshme e më pas do të mbyllet procesi.
Më pas, kolegji do të vlerësojë këtë proces për tre muaj dhe nëse është e nevojshme, mund edhe të shtohen dy muaj të tjerë, deri në marrjen e vendimit. Pra 3 deri në 5 muaj nga përmbyllja e rastit, që do të ndodhë javën e ardhshme./IndeksOnline/

