Javën e ardhshme luhet edhe një ndeshje interesante, në “Air Albania”
“Air Albania” u inaugurua zyrtarisht pak ditë më parë në ndeshjen e fundit kualifikuese midis Shqipërisë dhe Francës, teksa shfaqi probleme të shumta me fushën me bari (tapetin).
Megjithatë, drejtuesit janë të bindur se këto probleme do të zhduken pas pak ditësh sepse kushtet e rënduara të motit, nuk e kanë lejuar që të merrte gjendjen optimale, ndërkohë që pritet që shumë shpejt të rikthehet edhe në stadium për kategorinë superiore.
Ashtu siç është bërë e ditur tashmë, derbi me shumë gjasa do të luhet në atë stadium, por mesa duket nuk do të jetë kjo ndeshja inauguruese për Kampionatin shqiptar.
Tirana ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në FSHF për të lejuar që ndeshja e javës së 14 përballë Kukësit, të luhet pikërisht në këtë stadium.
Ky takim është planifikuar të luhet të premten e ardhshme dhe Tirana shpreson që të marrë dritën jeshile nga Federata.
Këta të fundit, kanë siguruar se do të paguhet e njëjta qira si në kohën kur luhej në “Qemal Stafa” dhe ky premtim ka tunduar shumë nga klubet e Superiores.
Tashmë, pritet vetëm përgjigja nga FSHF-ja dhe me shumë gjasa, Tirana-Kukësi do të inaugurojë stadiumin më të ri në vend për Superioren.