18:42 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Javën tjetër rinisin gërmimet

Kushtet atmosferike bën që gërmimet në lokacionet e dyshuara për mbetje mortore të ndërpriten, për mos të filluar akoma as tani në pranverë.

Mirëpo, mesi i prillit do të shënoj fillimin e gërmimeve, tani që moti është i mirë dhe nuk ka pengesa, shkruan Indeksonline.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj ka bërë të ditur se cilat lokacione do të gërmohen, ku dyshohet që ka mbetje të personave që u zhduken nga lufta e fundit në Kosovë.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se në pjesën e dytë të muajit prill do të fillojnë gërmimet në ato lokacione ku kanë mbetur gjysmë në fund të vitit të kaluar. Sipas tij, aktivitetet nuk ndalohen asnjëherë, por vetëm ndërpriten kur janë kushtet e këqija atmosferike, kryesisht në sezonin dimëror.

“Tani janë në agjendë lokacionet që janë ndërprerë për shkak të motit, sigurisht që do të vazhdohet me hulumtime dhe do të futen në agjendë edhe dy lokacione tjera të supozuara në të cilat dyshohet se ka mbetje sipas informacioneve që i kemi. Gërmimet janë ndërprerë në Tusus, varrezat e qytetit të Prizrenit, do të vazhdojmë pastaj në Gjakovë dhe në Lupq. Këto janë tani për tani lokacionet që do të vazhdojnë gërmimet e ndërprera”, ka thënë Gjetaj.

Sipas tij, kërkesa për gërmime janë bërë edhe për në tokat e Serbisë.

“Për gërmime në lokacionet në Serbi normalisht që i kemi iniciuar kërkesat tona në grupet punuese që janë pjesë e dialogut në Serbi, e që bëhen me ndërmjetësimin e kryqit të kuq ndërkombëtar. Ne i kemi bërë kërkesat tona në disa vende atje dhe presim që të futet në agjendë edhe Rudnica dhe vendi i quajtur Kozareve i Novi Pazarit”, ka theksuar Gjetaj.

Ai ka propozuar që faktori ndërkombëtar t’i bëj presion palës serbe që ta fusin në rend të ditës propozimin për gërmime në Serbi.

“Edhe shtytja e faktorit ndërkombëtar do të bënte mirë sepse pa shtytje ata nuk bëjnë hapa para. Me vite të tëra është shtyrë ky proces, sepse ata e dinë që në vendet e dyshuara ka mbetje mortore dhe për këtë nuk e fusin në rend dite”, ka përfunduar Gjetaj./Indeksonline/