Jay Z thyen heshtjen, i përgjigjet YE-së për ofendimet ndaj fëmijëve

Pas muajsh heshtje, Jay-Z ka vendosur të flasë, jo me intervista, por me vargje.
Gjatë koncertit të Beyoncé-s në Paris këtë fundjavë, ku Jay-Z u ngjit në skenë si pjesë e turneut “Cowboy Carter”, ai ndryshoi një rresht të famshëm nga kënga “N**s in Paris”, që dikur ishte bashkëpunim ikonik mes tij dhe Kanye West-it.
Në vend të vargut origjinal “just might let you meet Ye”, Jay-Z tha me stil: “just might let you meet Bey”. Në kontekstin e këngës, ky është një varg që nënkupton status, si të thuash “nëse je me fat, mund të të prezantoj me Bey-n”. Dhe po, interneti e kuptoi menjëherë se ishte një “diss” i qartë ndaj Kanye-s.
Ky ndryshim vjen vetëm disa muaj pasi Kanye publikoi një postim të pahijshëm e të dënueshëm për fëmijët e Jay-Z dhe Beyoncé-s, Rumi dhe Sir. Në një tweet tashmë të fshirë, ai përdori gjuhë fyese ndaj binjakëve, duke nxitur reagime të shumta në rrjet.
Jay-Z nuk ka reaguar publikisht për atë koment, deri tani. Dhe me sa duket, ai zgjodhi mënyrën më elegante për ta bërë; përmes skenës dhe artit.
Megjithëse më parë Jay-Z e ka quajtur Kanye-n “vëlla” dhe ka folur për marrëdhënien e ndërlikuar mes tyre, ky ndryshim në tekst duket si një vijë e qartë ndarëse. Nga dikur miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, sot në një raport të tensionuar që ndoshta s’ka vend për t’u përmirësuar.