75 Mall Live Search
10:30 / E Martë, 24 Qershor 2025 / AR

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez drejt “martesës së shekullit”, sot nis ceremonia

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez janë gati për një dasmë madhështore në Venecia, duke nisur nga 24 qershori. Dy vite pas propozimit me një unazë 30-karatëshe, çifti pritet të kurorëzojë dashurinë në një ceremoni me rreth 200 të ftuar, ndërsa detajet e dasmës po organizohen nga agjencia prestigjioze Lanza & Baucina Limited, e njohur për eventet e yjeve si George Clooney dhe Salma Hayek.

Megjithëse vendndodhja nuk është konfirmuar, mediat përmendin jahtin luksoz 500-milionë dollarësh “Koru”, si dhe ishullin San Giorgio Maggiore si opsione të mundshme. Çifti ka rezervuar disa nga hotelet më të famshëm të qytetit, përfshirë Aman, Gritti Palace, St. Regis, Belmond Cipriani dhe Hotel Danieli.

Bezos dhe Sánchez kanë vendosur të mos marrin dhurata, por të ftuarit të bëjnë donacione bamirësie. Për ta janë përgatitur pako me dhurata artizanale, përfshirë qelq Murano nga Laguna B dhe ëmbëlsira lokale nga Rosa Salva.

Lista e të ftuarve pritet të jetë plot emra të njohur si Oprah Winfrey, Kim Kardashian, Salma Hayek, Robert Pattinson, Ivanka Trump, dhe Katy Perry, ndërsa përzgjedhjen e fustanit të nuses po ndihmon vetë Anna Wintour, me Oscar de la Renta dhe Dolce & Gabbana si emrat më të përfolur.

Organizatorët kanë theksuar se ceremonia do të zhvillohet me kujdes të veçantë për të mos shqetësuar jetën e përditshme në Venecia, duke angazhuar kryesisht furnizues dhe profesionistë lokalë.