Jehona Lushaku-Sadriu pasi u rizgjedh për deputete: Faleminderit që më besuat
Deputetja e rizgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore, duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë dhe duke theksuar se ky besim për të përfaqëson një përgjegjësi të lartë personale dhe publike.
Në një postim në facebook, Lushaku Sadriu ka bërë të ditur se 21,485 qytetarë i kanë dhënë mbështetjen e tyre, duke e cilësuar këtë rezultat jo vetëm politik, por edhe thellësisht njerëzor, shkruan IndeksOnline.
“Ky besim për mua është frymë, zë dhe shpresë. Është raport i fortë mes meje dhe jush. Më obligon të jem më e fortë, më e vendosur dhe më e përkushtuar çdo ditë për të mirën e vendit tonë”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka shprehur krenari të veçantë për gratë deputete të zgjedhura nga kjo parti, duke theksuar se ato kanë hyrë në Kuvend pa favore apo kuota, por vetëm me votën e qytetarëve, çka sipas saj dëshmon se gratë në Kosovë nuk kanë nevojë për favore, por për besim.
“Krenari të veçantë ndjej për gratë deputete të LDK-së, që me vlerat e tyre unikate hynë në Kuvend pa asnjë kuotë, por vetëm me votën e qytetarëve. Kjo është dëshmi se gratë në Kosovë nuk kanë nevojë për favore, por për besim. Dhe ju na e dhatë atë besim.Ju premtoj, që do t’ju përfaqësoj me gjithë zemrën time. Pa kompromis me padrejtësinë. Pa heshtje ndaj së gabuarës. Me zë të fortë për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, për rritjen e cilësisë së arsimit, për gratë, për të rinjtë, për secilin prej jush që beson se Kosova në një Kosovë më të mirë”, ka shkruar Lushaku-Sadriu./IndeksOnline/

