20:45 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë në luftimin e korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një koktej, për të kremtuar Marrëveshjen për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), program ky prej të cilit Kosova ka përfituar 49 milionë dollarë.

Ai me këtë rast ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, ndërsa u zotua se do të punohet çdo ditë, për të dëshmuar përkushtimin e Qeverisë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Kosova është duke bërë përpjekje për të forcuar sundimin e ligjit, duke zgjeruar reformat në gjitha sferat e jetës sonë. Kosova është e gatshme të marr përgjegjësitë e veta, jo vetëm me forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në luftimin e korrupsionit. Jemi të gjithë si ekip, dhe besoj se do ta dëshmojmë këtë përkushtim çdo ditë pune”, ka thënë ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dëshmon se pavarësisht kush është në pushtet në SHBA, aleanca strategjike dhe miqësia e madhe që ka Kosova me SHBA-të, qëndron dhe mbetet e fortë.

“49 milionë dollarë nuk zgjidhim problemet e Kosovës, por puna e përbashkët do të mundësoj krijimin e një klime pozitive dhe hapave konkret që rrit besimin e investitorëve tjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se nënshkrimi në Uashington për herë të parë është bërë në Kongresin Amerikan, dhe kjo gjë ka një domethënie të madhe, pasi është përkrahur nga të gjitha partitë amerikane pa dallim.

“Me këtë marrëveshje vije edhe përgjegjësi e madhe për Qeverinë e re të Kosovës, të zbatojë programin me efikasitet, transparencë dhe sigurisht me rezultate të mira”, ka thënë ambasadori, duke shtuar se programi në fjalë do të ndikojë direkt në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, në shenjë falënderimi, i ka dhuruar ambasadorit Delawie hartën e Kosovës, e punuar me gurët nga Trepça. /Telegrafi/