75 Mall Live Search
14:02 / E Martë, 28 Tetor 2025 / H F

Jennifer Lawrence tregon periudhën e vështirë pas lindjes: Çdo herë që foshnja flinte, mendoja se…

Aktorja e njohur Jennifer Lawrence ka folur hapur për një nga periudhat më të ndjeshme të jetës së saj, muajt pas lindjes së fëmijës së dytë. Në një intervistë për The New Yorker, ajo rrëfeu se ka kaluar një fazë të thellë ankthi dhe pasigurie që e shoqëroi gjatë ditëve të para të mëmësisë.

Lawrence zbuloi se ndonjëherë e përjetonte aq fort stresin, sa çdo moment gjumi i foshnjës e kthente në një ankth të ri.

“Sa herë që flinte, mendoja se kishte vdekur,” – u shpreh ajo, duke shtuar se frika dhe pasiguria nuk e lejonin të ndihej e qetë për asnjë çast.

Aktorja pranoi se shpesh ndjente faj dhe dyshim ndaj vetes, duke menduar se nuk po arrinte të ishte një nënë e mirë.

“Mendova se ai qante sepse nuk i pëlqente jeta, ose unë. Isha e bindur se do t’i shkatërroja fëmijët e mi,”- tha ajo me sinqeritet.

Kjo periudhë, siç tregoi Lawrence, e ndihmoi të kuptojë më mirë përvojën e shumë grave që përballen me depresionin pas lindjes dhe ndjenjat e izolimit që e shoqërojnë. Për aktoren, përjetimi personal ishte edhe një lloj përgatitjeje emocionale për rolin e saj të ri në filmin “Die, My Love”, ku interpreton një grua që përballet me të njëjtat sfida psikologjike pas lindjes.

“Pas lindjes, gjithçka ndryshon. Është një periudhë e pasigurt, e lodhshme, por njëkohësisht të bën më të fortë dhe më të vetëdijshme për veten,” – përfundoi ajo.

Me këtë rrëfim të sinqertë, Jennifer Lawrence jo vetëm ka ndarë një pjesë të brendshme të jetës së saj, por edhe ka sjellë vëmendjen publike mbi një temë që shpesh mbetet tabu: shëndeti mendor i grave pas lindjes.