18:58 / E Martë, 03 Tetor 2017 / indeksADMonline

Jeremiq: Kosova do ta vendosë Serbinë para dy zgjedhjeve të vështira më 2018

Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, tash kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Serbi, Vuk Jeremiq, ka deklaruar se Serbia në vitin 2018 do të gjendet në një situatë të vështirë.

Ai ka deklaruar se Serbia do të duhet të zgjedhë ta pranojë Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ose të përkeqësoj raportet me faktorët kyç ndërkombëtar.

Duke folur për Radio Televizonin e Vojvodinës, Jeremiq tha se situata pas referendumit për pavarësinë e Katalonisë mund të ndikojë në raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, transmeton lajmi.net

“Pas konsultimeve emergjente me presidentin e Serbisë dhe kryeministren Brnabiq, u vendos që në Bruksel të dërgohet një letër, por unë mendoj që ajo nuk do të sjellë asnjë dobi, dhe asnjë shtet nuk do ta tërheq njohjen për Kosovën”, tha Jeremiq.

Tutje ai ka thënë se qëndrimi i partisë së tij është që të vazhdojë dialogu me Serbinë.

“Qëndrimi i partisë popullore është që përmes dialogut me shqiptarët e Kosovës që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme, por për ne nuk është e pranueshme njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha Jeremiq.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB u bë temë sidomos pas mbajtjes së mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme në OKB.

Zyrtarët e Kosovës kanë deklaruar vazhdimisht se në një të ardhme të afërt Kosova do të bëhet pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.