Jeta e Princit Harry po dështon “me sukses”?
Princi Harry, i cili vetëm pak ditë më parë u shfaq me lot në sy në gjykatë duke treguar se si i ishte shkelur privatësia, u pa të dielën mes kamerave duke shijuar gjithë vëmendjen krah disa personazheve të famshëm të Hollywood-it së bashku me bashkëshorten e tij Meghan Markle, në Festivalin e Filmit “Sundance”.
Ky dallim i fortë mes dy botëve vetëm sa nxjerr në pah faktin se, gjashtë vite pasi u vendos në Kaliforni, Harry ende nuk ka arritur t’i lërë pas hijet e së shkuarës.

“Kalimi i Harry-t nga një seancë gjyqësore ku lutet për privatësi, drejt “Sundance” më duket i pakuptimtë,” tha një burim nga Hollywood.

Princi është shprehur se jeta që ka tashmë në Amerikë është ajo që mamaja e tij, Princesha Diana, do të kishte dashur për të.
Por, shumë prej marrëveshjeve miliona dollarëshe që ai dhe Meghan Markle nënshkruan me disa nga kompanitë më të mëdha të Hollywood-it, për të ndërtuar një jetë të re, dështuan, përfshirë këtu edhe fondacionin e tyre Archewell Philanthropies.
Marrëdhëniet me të vëllain vazhdojnë të mos jenë të mira dhe nga familja mbretërore është takuar vetëm me Mbretin Charles pak herë gjatë viteve të fundit.


Ai nuk ka të ardhura të qëndrueshme dhe shumë njerëz nuk e kuptojnë qëllimin e tij. Kjo ka ngritur pyetje mbi rolin që ai ka, sepse edhe në marrëdhënie me familjen mbretërore dhe aq më pak me Hollywood-in duket se nuk është gjëkundi.
Sipas burimeve, ai është kthyer në një shtëpiak ndërsa bashkëshortja Meghan Markle është ajo që siguron të ardhurat për familjen, por edhe kjo po has probleme.

Emisioni i saj është ndërprerë nga Netflix, marrëveshja me Spotify dështoi dhe të ardhurat e tyre po pakësohen.
Edhe pse Harry fitoi shumë me librin e tij autobiografik “Spare”, jeta në Kaliforni ka shpenzime të mëdha, të cilat çifti thuhet se nuk po i përballon mirë.
Kanë miq me ndikim në Kaliforni dhe e gjitha kjo falë Meghan Markle. Ndërkohë, sipas burimeve, pjesën më të madhe të ditës ata e kalojnë në shtëpi duke u kujdesur për fëmijët dhe rrallë dalin.

Pavarësisht përpjekjeve të dyshes për të ndërtuar një jetë të re, shumë kanë filluar të mendojnë se atyre nuk po u ecin punët mirë.

