Jeta Statovci viziton zejtarët në Prishtinë, flasin për krijimin e një qendre zejtare dhe rikthimin e Pallatit të Rinisë në epiqendër kulturore

Bartësja e listës për Asamble Komunale në Prishtinë nga Lista “Guxo”, Jeta Statovci ka vizituar Qendren Zejtare pranë Tregut të Gjelbër, ku është takuar me zejtarë dhe afaristë të ndryshëm në kryeqytet.
Gjatë këtij takimi Statovci me zejtarët dhe afaristë, kanë diskutuar për rëndësinë e krijimit të një qendre të zejtarisë pranë Tregut të Gjelbër, një hapësirë që do të ruante karakterin dhe trashëgiminë e qytetit, duke e shndërruar atë në një atraksion urban e turistik për vizitorët.
“Gjithashtu, folëm për nevojën e investimit në Pallatin e Rinisë, për të cilin tashmë ekziston marrëveshja për përgatitjen e projektit të rikonstruktimit, konservimit, restaurimit dhe modernizimit të tij. Ky projekt do ta rikthejë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në qendrën e kulturës, sportit dhe jetës publike të kryeqytetit”, ka thënë Statovci.