“Jo, nuk e kam vra”, Leutrim Fejza mohon akuzat për vrasjen e Bekim Varit, ndryshe paraqiten faktet
Në Gjykatën Themelore të Ferizajt është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarit Leutrim Fejza (27 vjeç), i cili ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj të riut Bekim Vari, rast që tronditi opinionin publik në fillim të këtij viti.
Bekim Vari, 27-vjeçar nga Ferizaj, ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët më 29 janar 2025, ndërsa trupi i tij u gjet më 5 shkurt në një zonë malore të fshatit Manastirc të Ferizajt.
Sipas raportimeve të Indeksonline, trupi i viktimës ishte gjetur në gjendje të rëndë, me shenja të shumta dhune.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj Fejzës, duke e ngarkuar me veprën penale të vrasjes së rëndë. Sipas dosjes hetimore, i pandehuri dyshohet se ka kryer krimin pas një konflikti të mëparshëm me viktimën.
Në seancën e sotme, prokurori Shukri Jashari paraqiti rastin në detaje, duke shpjeguar momentet e fundit të vrasjes mizore.
Ndërkohë, avokati mbrojtës Kastriot Zenuni i propozoi gjykatës që klientit të tij t’i hiqet masa e paraburgimit ose t’i zëvendësohet me një masë më të butë, si arrest shtëpiak.
Fejza në deklaratën e tij mohoi përfshirjen në vrasje, duke thënë, “Jo, nuk e kam vra”.

