75 Mall Live Search
10:29 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Joao Felixi ekzekutoi “krye n’vete” penalltinë

Mbrëmë Atletico Madridi mposhti Lokomotivën e Moskës me rezultat 2-0 në ndeshjen e xhiros së fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Madrilenët fituan dy penallti në këtë ndeshje, të parin e humbi Tripieri ndërsa të dytin e shënoi Joao Felixi.

Por edhe pse shënoi, talenti 20- vjeçar ka marrë kritika të mëdha në Spanjë, shkruan Indeksonline.

Ai e mori vetë topin për ta ekzekutuar penalltinë, madje pa u konsultuar me askënd.

Portugezi, i cili është blerja më e shtrenjtë në histori të klubit ka treguar mosrrespekt ndaj shokëve të tij të skuadrës.

Në fushë u pa që Joao Felixi dëshironte ta ekzekutonte penalltinë e parë, por topi u mor nga Trippieri, i cili goditi topin në shtyllë.

Në penalltinë e dytë, Joao Felixi nuk kërkoi leje nga trajneri argjentinas (siç bëri ndaj Villarrealit në një goditje të lirë) dhe goditi topin, duke demonstruar personalitetin e tij.

Koke u pa duke u këshilluar me trajnerin dhe Moratan për këtë rast. /IndeksOnline/