75 Mall Live Search
18:50 / E Mërkurë, 18 Gusht 2021 / C E

Johnny Depp: Kam jetuar në një gjendje kaotike në pesë vjetet e fundit

Johnny Depp ka thënë në një intervistë për The Sunday Times se industria e Hollywoodit po e bojkoton atë për shkak të akuzave të rreme se e rrahu ish-gruan e tij, Amber Heard.

Aktori e përmendi këtë ndërsa fliste për filmin e tij të fundit “Minamata”. Premiera u shfaq javën e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, por nuk ka indikacione se do ta ketë premierën edhe në Amerikë.

“Disa filma prekin njerëzit dhe ky është një prej tyre. Historia që tregon është e ngjashme me timen. Si njeri dhe aktor, unë kam qenë në një situatë të pashpresë vitet e fundit. Hollywoodi po më bojkoton për shkak të pohimeve të rrejshme. Jam duke u angazhuar që t’i nxjerr gjërat në dritë”, ka thënë ai.

Në “Minamata”, Depp luan rolin e W. Eugene Smith, një fotoreporter që vizitoi qytetin Minamata në Japoni në vitet 1970 për të dokumentuar efektet e helmimit nga merkuri.

I pyetur nëse ai identifikohej me gjendjen e dëshpërimit të Smithit, aktori u përgjigj: “Unë nuk iu qasa interpretimit të personazhit të Smith në atë mënyrë, por prapë tregova disa nga ndjenjat e mia. Kam jetuar në një gjendje kaotike në pesë vitet e fundit”.

Depp dhe Heard u shkurorëzuan në vitin 2017, pasi ajo e akuzoi për sulm fizik, ndërsa aktori i mohoi të gjitha akuzat. Në nëntor të vitit të kaluar, Depp humbi një padi për shpifje kundër revistës britanike The Sun, e cila e quajti atë ngacmues në një artikull të vitit 2018.