19:38 / E Shtunë, 07 Maj 2022 / OSH

Johnny Depp vs Amber Heard: Ja ç’mund të ndodhë me ta, pavarësisht vendimit të gjykatës

Johnny Depp dhe Amber Heard po përballen në një gjyq të nivelit të lartë, i cili po ndiqet nga miliona njerëz anembanë botës. Johnny Depp ka paditur Amber Heard për një ese që ajo shkroi në vitin 2018 për Washingon Post ku e përshkroi veten si “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”. Depp i tha gjykatës se ai ka vuajtur për gjashtë vjet për shkak të veprimeve të Heard dhe karriera e tij është dëmtuar.

Çfarë pritet të ndodhë me aktorët pas vendimit të gjykatës? Ja si mendojnë ekspertët e marrëdhënieve me publikun.

“Ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim për njerëzit e profilit të lartë që jetojnë në sytë e publikut: kur vendosni të bëni një akuzë abuzimi, ose të diskutoni jetën tuaj personale në formën e një eseje, një interviste televizive ose bisede me një gazetar, ju rrezikoni të diskutoni publikisht të gjitha llojet e detajeve të shëmtuara private,” tha për Guardian Evan Nierman nga Red Banyan, kompani këshillimi për bizneset dhe figurat publike.

Juda Engelmayer në Herald PR tha për Guardian se pa marrë parasysh se cili do të jetë vendimi në këtë rast, Depp i ka dhënë vetes mundësinë për të paraqitur versionin e tij në gjykatën e opinionit publik.

“Ai duhej të tregonte rrëfimin e tij. Ai i argëtoi njerëzit dhe përfundoi duke bërë për vete më shumë njerëz, duke përfshirë audiencën femërore, në anën e tij. Kështu ai fiton, cilido qoftë vendimi, sepse ai dëshiron që bota të shohë se ai është ende i aftë të ketë fansa dhe të prodhojë argëtim.”

Engelmayer shton se nga ana tjetër, edhe Heard po shfaqet e fortë, e guximshme dhe pa frikë duke treguar historinë që ajo beson se është e drejtë.

Depp, beson Engelmayer, do ta gjejë ngadalë rrugën drejt filmave, edhe pse ndoshta jo aq sa më parë. Sipas tij, edhe Heard mund të shfaqet nëpër filma.

“Ajo nuk ishte kurrë aq e suksesshme sa Depp, por shumë studio mund të mendojnë se vendosja e saj nëpër filma mund të jetë tërheqëse për gratë dhe për progresistët që mendojnë se ajo ishte e fortë dhe meriton një shans. Ajo do të marrë disa role dhe suksesi i filmave do të tregojë nëse është e aftë t’u dalë për zot.”