14:24 / E Enjte, 22 Gusht 2019 / indeksADMonline

Johnsoni kërkon në marrëveshje për Brexit-in, i inkurajuar nga takimi me Merkelin

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka deklaruar sot para presidentit francez, Emmanuel Macron, se dëshironte një marrëveshje për Brexit-in, duke shtuar se ishte inkurajuar shumë nga takimi një ditë më parë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Dëshiroj një marrëveshje”, i deklaroi Johnson shtypit.

“Mendoj se mund të kemi një marrëveshje dhe një marrëveshje të mirë”, shtoi ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi dje për pasojat ekonomike të një Bexit-i pa marrëveshje, para një takimi me Boris Johnsonin, i cili kërkon një rihapje të negociatave me Bashkimin Evropian, por që synon të largohet nga blloku çfarëdo që të ndodhë, më 31 tetor.

“Perspektiva e daljes së shpejtë të Britanisë së Madhe, kombinuar me tensionet tregtare ndërkombëtare na japin ‘dhembje koke’”, theksoi kancelarja gjermane në një konferencë shtypi mbi aeronautikën në Lajpcig, ndërkohë që ekonomia gjermane, ashtu si ajo e gjithë Evropës, po përballet me vështirësi.