75 Mall Live Search
18:59 / E Premte, 23 Dhjetor 2022 / MSH

Jona Beqiri, vajza që synon medalje në arenën ndërkombëtare

16 vjeçarja Jona Beqiri, nxënëse e shkollës “Prishtina High School” në Prishtinë synon që të arrij majat e suksesit në sportin e notit.

Në një intervistë për Indeksonline, ajo ka rrëfyer dashurinë e saj për notin dhe ëndrrat që një ditë të përfaqësoj vendin në arenat ndërkombëtare.

Jona, kur ke filluar të merresh me not?

Jam Jona Beqiri, nxënëse vitit të dytë në shkollën “Prishtina High School” në Prishtinë. Me sportin e notit kam filluar të merrem në mosha 9 vjeçare. Në fillim, ia kam nisur vetëm për relaksim, hobi, dhe për ta kaluar kohën e lirë. Kjo ishte edhe dëshira e prindërve të mi, që të merrem not. Pas disa muajve me ushtrime, ky sport filloi të më hynë në zemër. Nuk kam menduar asnjëherë që do të bëhem notare, apo do të merrem me këtë sport. Në fillim, ushtrimet e notit nuk mu dukeshin me interes, por me kalimin e kohës më është dhënë mundësia për ta shprehur talentin tim, fal angazhimit të pakursyer të trajnerëve të mi në klubin e notit “Step” në Prishtinë, të cilët e kanë vrenjtur talentin tim dhe i falënderoj përzemërsisht për punën dhe angazhimin e tyre të pakursyer. Posaçërisht e falënderoj trajnerin tim z. Besart Shala që mi mësoi hapat e parë të Notit.

Notin e ke filluar si hobi, por kur vendose që të jesh pjesë e garave?

Me sportin e notit, menjëherë pas katër muajve ushtrime, fillova t’i shoh ndryshimet e mia pozitive në zhvillimin e trupit tim, por edhe në relaksimin tim shpirtëror. Asnjëherë nuk e kam pasur në mendje që të marrë pjesë në gara, por mendimi im, ndryshoi shumë shpejt, vendosa të jam edhe unë pjesë e konkurrencës. Më pastaj plani dhe ambiciet e mia për këtë sport u rritën, duke ushtruar në mënyrë më rigoroze. Viti 2015, ishte shumë i begatshëm për mua, sepse unë fillova me not, por edhe mora pjesë në një garë në Prishtinë, e cila ishte organizuar nga Federata e Notit të Kosovës dhe në atë garë e kam fituar medaljen time të parë nga bronzi.

Unë jam pjesë e klubit të notit “Step” në Prishtinë. Aty fillova hapat e parë, në moshën 9 vjeçe, siç e përmenda edhe më sipër dhe vazhdoj ende me këtë sport. Pra, tani po bëhen 7 vite që ushtroj dhe nuk kam pasur asnjë mungesë në klub, në përjashtim para 4 viteve, e kam lënduar dorën dhe kam bërë një pauzë të shkurtër, po ashtu në kohën e pandemisë kur u mbyllën të gjitha.

A mund të na përmendesh garat ku ke marrë pjesë dhe sukseset që ke arritur në këto gara?

Sukseset e mija me sportin e notit  janë të shumta, por disa që do t’i veçoja, si: pjesëmarrjanë garat e Kampionatit Evropian, të mbajtura në vitin 2021, në Budapest të Hungarisë. Në këto gara, unë isha përfaqësuese e reprezentacionit të Kosovës, në garat për të rritur (senior). Gara tjetër ishte në Romë të Italisë. Aty u mbajt Kampionati Evropian për të rinjë (junior). Këto dy pjesëmarrje të cilat i përmenda më sipër, kanë qenë të një konkurrence të fortë dhe shumë sfidueses për mua, sepse këtu ka pasur sportiste të nivelit botëror dhe për mua ishte hera e parë.

Ndërsa në garat vendore dhe rajonale isha pjesëmarrëse në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Bullgari. Nga këto vende, kam arritur të fitoj me dhjetëra medalje të arta nga të gjitha disiplinat e notit. Kam fituar 7-të kupa, 3 nga kupat janë të nivelit absolut.

Deri më tani, kam arritur t’i fitoi mbi 200 medalje dhe shumë diploma nga rezultatet e mia. Tre herë kam qenë fituese multimedaliste e turneve të ndryshëm.

  • Në këtë vit, kurorëzimi i sukseseve të mia janë: arritja dhe mbajtja e 4 rekordeve në Republikën e Kosovës në 4 disiplinat e notit si:
  • 200 m shpinë – 02:19:41
  • 100 m Mix – 01:07:77
  • 200 m Mix – 02:26:17
  • 400 m Mix – 05: 23:79

Në muajin e kaluar në garat e mbajtura në turneun “Kosovo Cup”, të organizuar nga klubi i notit “Step”, në Prishtinë, kam arritur të fitoi përsëri.

Cilët janë synimet tuaja për vitin 2023?

Synimi im për vitin 2023, është të fitoj medalje ndërkombëtare. Jam në rrugë të mirë dhe besoj shumë se do ta arrij. Në sportin e notit ka sportiste të mira, ndoshta edhe unë do të ndjekë rrugën e tyre si amerikania Katie Ledecky fituese olimpike në Tokio 2020, ose suedezja Sarah Fredrika Sjöström, e cila mban rekorde botërore etj.