75 Mall Live Search
12:55 / E Martë, 27 Gusht 2019 / indeksADMonline

Jordani: Cakaj- Ayman Al Safadi, në fokus, marrëdhëniet dypalëshe, kryesimi shqiptar i Grupit të Kontaktit të Mesdheut të OSBE-së, marrja e kryesimit të OSBE më 2020

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një vizitë pune në Jordani, ku u prit në një takim nga ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Jordanisë, Ayman Al Safadi. Fokus i takimit ishin marrëdhëniet dypalëshe, kryesimi nga Shqipëria i Grupit të Kontaktit të Mesdheut të OSBE-së si edhe prioritetet e Kryesise shqiptare te OSBE-se 2020. Gjatë takimit, ministri Cakaj u ndal te kryesimi i Grupit të Kontaktit të Mesdheut të OSBE-së, duke shprehur angazhimin e plotë të Shqipërisë në marrjen e kësaj iniciative.

Në këtë kuadër, ministri në detyrë, Cakaj, u fokusua tek avancimi i dialogut me vendet partnere në fushat me interes të përbashkët, ku OSBE sjell një vlerë të shtuar në çështje si: sfidat e sigurise, forcimin e rolit te rinise ne shoqeri dhe rritjen e bashkepunimit ekonomik.

Ministri në detyrë, Cakaj, informoi ministrin Al Safadi mbi zhvillimin e Konferencës së Mesdheut, që do të organizohet në Tiranë në datat 24-25 tetor 2019 dhe rëndësinë e tematikave që ajo do të trajtojë. Më tej, dy bashkëbiseduesit u ndalën te kryesimi shqiptar i OSBE-së, si një ndër prioritetet kyç të Shqipërisë përgjatë vitit 2020. Ministri Cakaj garantoi homologun Al Safadi se Shqipëria do të inkurajojë frymën e bashkëpunimit dhe konsensusit në vendimmarrje si dhe siguroi se përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve dhe parandalimin e tyre do të jenë në krye të agjendës shqiptare.

Gjithashtu, ministri në detyrë, Cakaj, theksoi se Shqipëria do të promovojë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit, fuqizimin e rolit te gruas dhe luften kunder korrupsionit dhe krimit te organizuar.

Nga ana e tij Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jordanisë, Ayman Al Safadi nënvizoi se Jordania kërkon vijimin e bashkëpunimit dhe angazhimit me OSBE-në përmes aktiviteteve në kuadër të Partneritetit për Mesdheun, shkëmbimit të ndërsjellë, praktikave të mira dhe ndërtimit të kapaciteteve për sfidat aktuale. Në këtë kuadër u vlerësua Konferenca Mesdheut, e cila do të organizohet në Tiranë në datat 24-25 tetor 2019.

Nën kryesinë Shqiptare për vitin 2019 të Grupit të Kontaktit me Partnerët Mesdhetarë të OSBE-së, Jordania vijon të ketë një rol tepër aktiv, me kontribut konkret, për çështje si kthimi i luftëtarëve të huaj (FtF), dialogu ndërfetar etj. Gjithashtu, Al Safadi Jordania vlerësoi me nota pozitive rolin dhe përpjekjet e Kryesisë Shqiptare të GKM-së për të konsoliduar më tej dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe atyre partnere të Mesdheut.

Ministri Al Safadi garantoi angazhimin e tij për përfaqësimin e Jordanisë në këtë konferencë. Në këtë kuadër, ministrat shprehën angazhimin e tyre të plotë për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga potenciali real që ekziston për rritjen e shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve, apo fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik.