Jozi cak i një sulmi me tritol, autorët ngatërrojnë shtëpinë

Në orët e para të kësaj të marte, në fshatin Gurëz, që bën pjesë në njësinë administrative Fushë Kuqe të Kurbinit, është shënuar një shpërthim me lëndë plasëse.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 04:20, në derën e jashtme të oborrit të banesës së shtetases M. D. është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar se është artizanale. Megjithatë, hetimet paraprake ngrenë dyshime se shënjestra mund të ketë qenë këngëtari Jozefin Marku, i njohur me emrin Jozi, sipas Euronews Albania.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje u paraqitën forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët verifikuan situatën. Nga vëzhgimi fillestar u vu re se porta kishte pësuar dëmtime të lehta si rezultat i shpërthimit.
Gjatë kontrollit të zonës përreth, hetuesit gjetën disa gëzhoja të vjetra, të cilat u sekuestruan për t’u analizuar si prova materiale.
Njoftimi i policisë:
Kurbin/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe.
Me marrjen e njoftimit se rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të shtetases M. D, alias M. B.,në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe, ishte hedhur një sasi e vogël lënde plasëse e dyshuar artizanale, shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me grupin hetimor.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe territorit përreth, rezultoi se porta e murit rrethues të banesës ishte dëmtuar lehtë nga shpërthimi i lëndës plasëse, e dyshuar artizanale.
Në vijim të veprimeve, grupi hetimor gjeti në rrugë, në afërsi të banesës, disa gëzhoja në dukje të vjetra, të cilat u sekuestruan dhe administruan në cilësinë e provës materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për sqarimin e rrethanave, identifikimin e autorit/ve dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.