Jumbo mbështet Spitalin e Pediatrisë në Prishtinë: Mbi 400 fëmijë përfitojnë nga pajisjet e reja mjekësore

Një tjetër projekt social është finalizuar nga Jumbo, në bashkëpunim me fondacionin “Mane” duke realizuar një kontribut të rëndësishëm për Spitalin e Pediatrisë në Prishtinë.
Fokusi i projektit janë dy nga repartet kryesore për mirëqenien e fëmijëve: Hemato- Onkologjia dhe Logopedia.

Donacioni përfshiu pajisje moderne për repartin e Hemato-Onkologjisë, të cilat do të përdoren për përmirësimin e shërbimeve të trajtimit për fëmijët, me diagnoza hematologjike dhe onkologjike. Aktualisht, rreth 400 fëmijë trajtohen në këtë repart, nevojat e të cilëve janë të vazhdueshme.
Kontributi i Jumbo synon të ndihmojë në përballimin e këtyre sfidave, duke përmirësuar cilësinë e kujdesit dhe mbarëvajtjen e përditshme të trajtimit.
Në të njëjtën kohë, për shërbimin e Logopedisë dhe për zhvillimin e fëmijëve me vështirësi komunikuese, Jumbo ka dhuruar një sërë materialesh stimuluese si libra, lojëra edukative dhe mjete ndihmëse.
Ato do të përdoren në rreth 480 seanca mujore
që zhvillohen për 72 fëmijë, duke ndikuar pozitivisht në ecurinë e terapisë dhe në krijimin e një ambienti më të ngrohtë, tërheqës dhe efektiv për zhvillimin e fëmijëve.
Ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë të përgjegjësisë sociale të Jumbo, e cila synon të ketë ndikim të qëndrueshëm në komunitet, veçanërisht në fushën e kujdesit dhe shëndetit të fëmijëve.
“Përmes projekteve të përgjegjësisë sociale, synojmë të japim një kontribut të prekshëm në komunitet, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve,” u shpreh Leonora Huruglica, përfaqësuese e Jumbo.
“Mbështetja për repartin e Hemato-Onkologjisë dhe shërbimin e Logopedisë pasqyron përkushtimin tonë për të investuar në të ardhmen e fëmijëve dhe për të përmirësuar kushtet e trajtimit për më të vegjlit.”
Projekte të ngjashme do vijojnë të jenë pjesë e strategjisë së Jumbo dhe Fondacionit Mane, ku në fokus janë përmirësimi i kushteve të jetesës për komunitetet dhe në veçanti për fëmijët.