75 Mall Live Search
18:25 / E Shtunë, 19 Korrik 2025 / MSH

Juniku po i pret bashkatdhetarët me festival, kryetari Shehu jep detaje

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, u ka shprehur mirëseardhje bashkatdhetarëve të kësaj komune, duke i prezantuar me festivalin e organizuar enkas për ta.

Sot dhe nesër (19-20 korrik) do të mbahet festivali “Kah Drita”, në kuadër të projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian, shkruan IndeksOnline.

“Ndërsa më 30 korrik 2025, Komuna e Junikut do të organizojë edhe një koncert të veçantë, kushtuar posaçërisht mërgatës sonë – një falënderim simbolik për dashurinë dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm për Junikun.

Kryetari i Komunës dhe institucionet komunale janë të përkushtuara që edhe këtë vit ta bëjnë sa më të lehtë dhe të këndshme qëndrimin tuaj në vendlindje” është shprehur Shehu, duke listuar edhe shërbimet që komuna ka lehtësuar për mërgimtarët.

Ky është njoftimi i plotë i kryetarit:

Të dashur mërgimtarë – mirësevini në Junikun tuaj!

Me kënaqësi dhe mirënjohje të thellë, ju urojmë mirëseardhje në shtëpitë tuaja në Junik – aty ku gjithmonë sillni gjallëri dhe frymë pozitive në qytetin tonë.

Sot, më 19 korrik 2025 (e shtunë), dhe nesër, më 20 korrik 2025 (e diel), do të mbahet festivali “Kah Drita”, në kuadër të projektit të mbështetur nga BE-ja me titull “Mirëdita Junik”. Të gjithë mërgimtarët dhe qytetarët e tjerë junikas janë të ftuar të kalojnë dy ditë të këndshme së bashku. Më shumë rreth festivalit mund të gjeni në linkun:

Ndërsa më 30 korrik 2025, Komuna e Junikut do të organizojë edhe një koncert të veçantë, kushtuar posaçërisht mërgatës sonë – një falënderim simbolik për dashurinë dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm për Junikun.

Kryetari i Komunës dhe institucionet komunale janë të përkushtuara që edhe këtë vit ta bëjnë sa më të lehtë dhe të këndshme qëndrimin tuaj në vendlindje.

Këto janë disa nga vendimet dhe lehtësimet në favor të mërgatës junikase:

Parking pa pagesë deri më 31 gusht 2025, në këto hapësira:

Parkingjet publike të komunës

Hapësira pranë stacionit të autobusëve (që nuk pengojnë qarkullimin)

Tregu i gjelbër (përveç ditëve të premte)

Parkingjet pranë bibliotekës komunale

Shërbime komunale të shpejta dhe të lehtësuara për mërgimtarët:

Zyra komunale do të punojë edhe gjatë kohës së pauzës dhe, sipas nevojës, edhe pas orarit zyrtar për të ofruar shërbime civile, kadastrale dhe administrative të tjera.

Takime të hapura me Kryetarin e Komunës çdo ditë pune:

Mërgimtarët janë të mirëpritur të takohen me Kryetarin për të diskutuar idetë, nevojat, projektet e mundshme për investime dhe bashkëpunim në Junik.

Të dashur bashkatdhetarë,

Kontributi juaj për Junikun është i çmuar dhe i pazëvendësueshëm. Ju jeni gjysma e Junikut – jo vetëm në numër, por edhe në dashuri, përkushtim dhe ndikim. Ardhja juaj në vendlindje sjell jetë, zhvillim dhe emocion për të gjithë ne.

Ky program mikpritjeje është vetëm një shenjë e vogël mirënjohjeje për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për Junikun.

Ju mirëpresim me zemër të hapur dhe jemi gjithmonë në shërbimin tuaj!