75 Mall Live Search
07:47 / E Mërkurë, 12 Qershor 2024 / MSH

Juria e shpalli fajtor, Biden pajtohet me vendimin e drejtësisë për të birin

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se do të respektojë vendimin e jurisë për ta shpallur djalin e tij fajtor për krime me armë, pas një gjyqi njëjavor.

Juria prej 12 personash e shpalli “fajtor” Hunter Biden, 54 vjeç, se kishte gënjyer për përdorimin e tij të drogës në një formular gjatë blerjes së një pistolete në vitin 2018. Ai përballet me burgim të mundshëm pas vendimit, i cili shënon përndjekjen e parë penale të një fëmiu të presidentit në detyrë, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.

Dënimi i tij për të tre akuzat vjen gjatë kohës kur presidenti Biden po bën fushatë për një mandat të dytë, me zgjedhjet që do të mbahen në nëntor.

Ndërsa presidenti Biden nuk mori pjesë në gjyqin në Delaware, shumë anëtarë të familjes, përfshirë dhe zonjën e parë, Jill Biden, e bënë këtë rregullisht.

Biden fluturoi për në Delaware, pas vendimit, duke përshëndetur dhe përqafuar djalin e tij.

“Unë jam president, por jam edhe baba. Jill dhe unë e duam djalin tonë dhe jemi shumë krenarë për njeriun që ai është sot”, tha ai në një deklaratë.

Biden shtoi se ai do të pranonte rezultatin e këtij rasti dhe do të vazhdojë të respektojë procesin gjyqësor ndaj të birit.