Juristi që rrëzoi qeverinë “Hoti”, tani kandidat për deputet i VV-së
Blerim Sallahu, ushtrues i detyrës i ministrit të Drejtësisë dhe kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, mbetet një nga figurat kyçe juridike që kanë shënuar kthesë në historinë institucionale të Kosovës.
Sallahu ishte përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje në rastin e njohur të deputetit Etem Arifi, rast që përfundimisht rrëzoi qeverinë “Hoti” përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai e përpiloi dhe e mbrojti me sukses lëndën në kushtetuese, duke dëshmuar profesionalizëm dhe argumentim të fortë juridik.
Pas vendimit të Kushtetueses, Sallahu kishte deklaruar se rrëzimi i qeverisë “Hoti” ishte vendim i pritshëm, duke theksuar se ligji dhe Kushtetuta nuk mund të anashkalohen për interesa politike.
Qeveria “Hoti” hyri në histori si Qeveria e parë e Kosovës që bie drejtpërdrejt si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e lidhur ngushtë me ligjshmërinë e votës për zgjedhjen e saj.
Kushtetuesja konstatoi se vota vendimtare e deputetit Etem Arifi ishte e pavlefshme, pasi ai ishte i dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione, çka e bënte të papajtueshme ushtrimin e mandatit të deputetit.
Kryeministri Albin Kurti e kishte vlerësuar lart kontributin e Sallahut, duke e emëruar atë zëvendësministër të Drejtësisë, ndër të parët në përbërjen e qeverisë, ndërsa sot ai ushtron edhe detyrën e ministrit.
Me përvojë të dëshmuar në mbrojtjen e Kushtetutës dhe sundimit të ligjit, Blerim Sallahu paraqitet para qytetarëve si kandidat me numër 58 në listën e VV-së që e ka dëshmuar në praktikë se ligji është mbi politikën.


