23:46 / E Enjte, 23 Qershor 2022 / Gj. Sh

Juventus cakton datën për testet mjekësore të Pogbas

Juventusi ka mbyllur gjithçka sa i përket rikthimit të Paul Pogbasë. Në takimin e sotëm midis drejtuesve të klubit dhe avokates së francezit është vendosur edhe për vizitat mjekësore, që besohet se do të kryhen mes datave 5 dhe 8 korrik.

29-vjeçari u largua nga klubi italian në vitin 2016 për një shumë rekord prej 105 milionë eurosh. “Zonja e vjetër”, që fitoi një shumë marramendëse nga francezi, do ta rikthejë atë falas mbas gjashtë sezonesh në “Old Trafford”.

Pogba në Itali ka luajtur katër sezone, nga  2012 deri në vitin 2016, ku fitoi katër tituj kampionë të Serisë A. “Zonja e vjetër” i ka plotësuar të gjitha kushtet sa i përket dhe rrogës që ai do të përfitojë, pasi përflitet për një shumë prej 8 milionë eurosh plus bonuse.

Juventus do të përpiqet të ndalojë ecurinë e klubeve të Milanos (kanë fituar dy titujt e fundit), duke synuar rikthimin e titullit kampion në “Allianz Stadium” dhe gjithashtu të bëjë realitet ëndrrën Champion League.