75 Mall Live Search
17:29 / E Premte, 24 Qershor 2022 / Gj. Sh

Juventus i dërgon Romës ofertë për Zaniolon

Juventus vendosi të heqë dorë nga Angel Di Maria, duke qenë se është lodhur nga pasiguria e argjentinasit për t’u transferuar në serinë A dhe ka kthyer menjëherë sytë nga sulmuesi italian Nicolo Zaniolo.

Gjatë ditës së djeshme drejtuesit e klubit bardhezi kanë pasur një takim me drejtorin sportiv të Romës, të cilit i kanë bërë edhe një ofertë zyrtare për kartonin e Zaniolos, që vlerësohet rreth 60 milionë euro.

25 milionë euro dhe kartonët e mesfushorëve Arthur e McKennie, ka qenë oferta e Juventusit për verdhekuqtë, por Pinto ka refuzuar, duke bërë të qartë se në kryeqytet duan vetëm para kesh.

Megjithatë tani vlen edhe mendimi i Jose Mourinhos, pasi nëse ky i fundit do të miratojë afrimin e ndonjërit prej mesfushorëve të Juventusit, atëherë oferta mund të ndryshohet, duke rritur shifrën e parave kesh.

Në Romë janë të qetë gjithsesi, pasi për sulmuesin italian ka shfaqur interes edhe Tottenhami i Antonio Contes, me Fabio Paraticin që pritet të bëjë një ofertë zyrtare në ditët e ardhshme.