Juventus i pandalshëm, nuk gabon as këtë javë
Juventusi mbetet një makineri e pandalshme edhe atëherë kur trajneri Allegri bën rotacion apo ndryshon gjysmën e formacionit. Bardhezinjtë mposhtëm 3-1 Cagliarin në “Allianz Stadium”, duke rivendosur diferencën prej 6 pikësh me dy skuadrat ndjekëse, Napoli dhe Inter.
Po luhej ende minuta e parë, ose më saktë sekonda e 43-të, kur Paulo Dybala zhbllokoi takimin me një gjuajtje të saktë brenda zonës, që rezultoi e pakapshme për portierin Cragno.
Goli i shpejtë dha përshtypjen se Juventusi mund të fitonte me lehtësi me goleadë, por nuk ndodhi kështu.
Në minutën e 36-të, Joao Pedro befasoi Szczesnyn me një kthesë të shpejtë brenda zonës, duke kthyer baraspeshën në rezultat.
Vetëm dy minuta më vonë, Bradaric zgjat këmbën për të ndalur krosin e ulët të Douglas Costas, por fatkeqësisht e devijon topin në rrjetë në shtyllë e parë, duke shënuar autogol.
Tre minuta para fundit të kohës së rregullt Cristiano Ronaldo me një kundërsulm të shpejtë nxori të lirë Cuadradon që vulosi rezultatin përfundimtar 3-1.