75 Mall Live Search
12:43 / E Enjte, 06 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Juventusi këmbëngul për Van Dajkun, ofron para dhe këtë lojtar

Juventusi duket i fiksuar pas Virxhil Van Dajkut dhe me sa duket është ky emri i madh i kampionëve në fuqi të Italisë për verën e ardhshme. Pas lajmit bombastik të sjellë në vëmendje nga torinezja “TuttoSport”, e cila nënvizonte se bardhezinjtë i kishin bërë Liverpulit një ofertë të parë prej 150 milionë sterlinash (diçka më shumë se 170 milionë euro), revista spanjolle “Don Balon”, duke u interesuar në disa burime angleze konfirmon se përveç ofertës me para kesh, “Zonja e Vjetër” dhe drejtuesit e saj kanë edhe një strategji të dytë, e cila mund të joshë edhe më tepër kampionët e Evropës në fuqi.

PLANI I “ZONJËS” 

Ideja e drejtorit sportiv Fabio Paratiçi, i cili për momentin është në pritje të një përgjigjeje nga Liverpuli për të marrë lejen dhe për të hyrë në bisedime me Van Dajkun, është ajo e të joshurit mbi të gjitha trajnerin Jyrgen Klop, duke bërë pjesë të marrëveshjes një tjetër mbrojtës të madh dhe me shumë perspektivë, më konkretisht krahun e djathtë të Virxhilit në qendrën e mbrojtjes së Kombëtares holandeze. Kuptohet se emri në fjalë është ai i Matajs De Ligtit, 20-vjeçarit që Juventusi bëri të vetin në verën e kaluar për 85.5 milionë euro, mes vlerës së kartonit dhe komisionit që iu pagua menaxherit të tij, Mino Raiola.

Sigurisht që në “tavë” janë jo vetëm dy shtyllat kryesore të “Tulipanëve”, por edhe dy prej mbrojtësve më të fortë në qarkullim, në botë. Madje, ajo ku kërkon të këmbëngulë Juventusi lidhet mbi të gjitha me diferencën e moshës që ekziston mes dy lojtarëve në fjalë. Nëse Virxhil Van Dajku është 28 vjeç, De Ligti sapo ka festuar të 20-t. Dhe për më shumë, për shtyllën e prapavijës së kuqe, “Zonja e Vjetër” dhe Paratiçi janë gati që të shtojnë edhe një shifër prej 50-60 milionë eurosh, plus kartonin e Matajsit, për të arritur te Virxhil Van Dajku.

Fundja, ky i fundit, pasi ka fituar Ligën e Kampioneve dhe e ka në dorë edhe titullin kampion në Premier Ligë, i cili pritet të rikthehet në Liverpul pas 30- vjetësh, ndoshta do të kishte mundësinë që të largohej si hero i klubit anglez dhe, pse jo, të provonte një aventurë tjetër të madhe. Fundja, pas Holandës, Skocisë dhe Anglisë, disa vjete në Serinë A, me skuadrën më të titulluar italiane, do të ishin një pasurim i mëtejshëm i kurrikulumit të tij, me Van Dajkun, që do të ndërronte fanellat me De Ligtin, me të cilin gjithsesi do të ketë mundësinë që të marrë më shumë informacion në pritje të Europianit të kësaj vere.