12:56 / E Mërkurë, 17 Qershor 2020 / indeksADMonline

“Ka informacion të klasifikuar”, Shtëpia e Bardhë kërkon bllokimin e librit të Boltonit

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur një padi me qëllim për të ndaluar ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton ta publikojë një libër të ri ku flitet për kohën që ai ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas padisë ky libër përmban “informacion të klasifikuar”, i cili nuk mund të bëhet i ditur për publikun.

Lëvizja erdhi menjëherë pasi presidenti Trump deklaroi se zoti Bolton mund të përballet me akuza kriminale nëse vijon planet për të publikuar këtë libër.

Libri i titulluar “The Room Where It Happened” pritet të dalë në vitrinë… duke filluar nga data 23 qershor.

“Do ta konsideroj çdo bisedë me mua që është bërë gjatë kohës si president si shumë sekrete”, tha presidenti Trump për media. “Kështu që kjo nënkupton se nëse ai ka shkruar një libër rreth këtyre çështjeve, atëherë ka shkelur ligjin dhe do të ketë probleme”, shtoi ai.

Megjithatë Unioni për Liritë Civile të Amerikaneve deklaron se çdo përpjekje e administratës Trump për të ndaluar publikimin e librit të John Bolton, janë të destinuara të dështojnë.

Në janar, Shtëpia e Bardhë deklaroi se libri përmban shumë detaje “sekrete”, të cilat duhet të hiqen, Bolton e hodhi poshtë një kërkesë të tillë.