18:43 / E Shtunë, 09 Korrik 2022 / Gj. Sh

“Ka lëng magjik”, Djokovic ngre dyshime dhe nuk pranon të shpjegojë përmbajtjen e shishes

Novak Djokovic siguroi pa shumë problem finalen e Wimbledon teksa kaloi me shifrat 1-3 në gjysmëfinale tenistin vendas, Cameron Norrie. Serbi pret në finale, Nick Kyrgios ndërsa në gjysmëfinale bëri shumë përshtypje një shishe, ambalazhi i të cilës nuk lejonte të shihej përmbajtja.

Ajo që shtoi edhe më shumë dyshimet ishte momenti kur trajneri i sugjeroi serbit të pinte nga ajo shishe. I pyetur se çfarë kishte brenda shishes, Nole shtoi edhe më shumë dyshimet duke theksuar se bëhej fjalë për një lëng magjik.

“Ajo çfarë mund t’iu them është se brenda shishes ka një lëng magjik. Nuk mund t’iua tregoj në këtë moment përmbajtjen por së shpejti do t’ju informoj. Tani nuk mund të flas”, u shpreh shkurtimisht dhe me ironi Djokovic.

Ndërkohë, sipas The Telegraph, tenisti serb është një nga ata të cilët konsumon suplement të pamiksuar për të marrë energji dhe ndoshta në shishen misterioze ka qenë pikërisht diçka e tillë.